Bujqit në hall me thatësinë, ende nuk kanë mbjellë grurin
Adelinë Sahiti
Tashmë jemi në gjysmë të muajit nëntor dhe mbjelljet vjeshtore ende nuk kanë nisur. Bujqit ankohen se kushtet klimatike, respektivisht thatësia që po mbretëron në këta muaj, ka ndikuar që sipërfaqet e destinuara për kultivim me drithëra, sidomos ajo e grurit të mos fillojë të mbillet ende, si ndodh rëndom në këtë periudhë kohore.
Ismajl Namani nga fshati Prapashticë e Prishtinës që tradicionalisht në këtë kohë ka mbjell grurin, thotë se këtë vit për shkak të mungesës së reshjeve të shiut nuk po mund të kryej punë.
“Jo askush nga banorët e këtushëm nuk kemi filluar të mbjellim grurin. Toka është shumë e thatë, s’ka asnjë mundësi ta lëvroj arën”, tha Namani për FaktePlus.
Ai tutje thekson se për këtë situatë askush nga institucionet qoftë lokale apo qendrore nuk ka ardhur për t’i vizituar.
“Po komuna ndanë subvencione për më pak se 1 hektar tokë, e Ministria e Bujqësisë për më shumë se një hektar. Mirëpo për këtë gjendje që kemi sivjet askush deri më tani nuk ka dalë në terren për të na vizituar”.
Në situatë të njëjtë është edhe bujku Salih Gashi nga Mramori. Ai tregon se në kushte normale gjatë kësaj periudhe kohore ka kryer mbjelljet.
“Zakonisht ne grurin fillojmë e mbjellim në mes të tetorit. Mirëpo kësaj radhe për shkak të kushteve të papërshtatshme kemi mbetur ende pa e mbjellë”, tha Gashi.
Se situata nuk qëndron mirë në terren me mbjelljet e sipërfaqeve të destinuara për kultivim me drithëra e thonë edhe zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore dhe Tregjeve në MBPZHR, Isuf Cikaqi ka thënë për FaktePlus se për shkak të kushteve klimatike, respektivisht mungesës së shiut, procesi i mbjelljeve vjeshtore është kryer shumë pak.
“Mungesa e shiut ka ndikuar të shtyhen mbjelljet. Përndryshe afati optimal për mbjelljen e grurit është deri në mesin e nëntorit, dhe në gjithë territorin e Kosovës këtë vit planifikohet të mbillen mbi 70 mijë hektarë me grurë”, tha Cikaqi.
Ministria e Bujqësisë këtë vit i ka përkrahur me subvencione kultivuesit e grurit dhe ata të drithërave tjera të bardha, me një fond prej 9.7 milionë euro.
Cikaqi ka treguar se ministria këtë vit ka planifikuar të bëjë disa ndryshime sa i përket subvencionimit të kulturave bujqësore.
“Për kulturën e grurit kemi diskutuar mundësinë e ndryshimit të mënyrës së subvencionimit, pra do të bëjmë përpjekje që subvencionimin e grurit në vitin 2019 të bëjmë për sasi të rendimentit. Ndryshe, në kuadër të Programit për Pagesa Direkte të vitit 2018, kultivuesit e grurit janë përkrahur përmes pagesave direkte prej 150 euro për hektar gruri dhe 250 euro për hektar për kultivuesit e farës së grurit”, ka thënë Cikaqi.
Kurse kryetari i Federatës së Bujqëve të Kosovës, Tahir Tahiri thotë se për të punuar tokën në këso thatësira si sivjet duhen mjete më të mira pune, e që bujqit nuk i kanë.
Ai jep vërejtje për mos shfrytëzimin e dy hidrosistemeve për ujitje, atë të Ibër Lepencit dhe të Radoniqit, e të cilat sipas tij do të ndihmonin shumë në tejkalimin e kësaj situate.
“I kemi dy hidrosisteme, që në këto raste mund të shfrytëzohen në mënyrë të mrekullueshme. Hidrosistemi “Ibër-Lepenc” këtë vit i ka pas të planifikuara 15 mijë hektarë, kurse sistemi Radoniqit i ka pas diku rreth 13 mijë hektarë për t’i ujitur. Sikur ato të funksiononin , sikurse Qeveria të kishte investuar në ato dy hidrosisteme deri më tash 20 mijë hektarë do të ishin mbjell. Përndryshe tash janë mbjell diku 400-500 hektarë në tërë Kosovën , a zakonisht mbillen nga 50 deri në 70 mijë hektarë”, tha Tahiri.
Në këtë rast, Tahiri i dha mbështetje vendimin të Qeverisë së Kosovës për vënie e taksës prej 10 për qind për produktet serbe që hyjnë në Kosovë dhe kërkoi që të bllokohet në tërësi importi nga Serbia.
Sipas tij, një vendim i tillë jo vetëm që nuk dëmton tregun kosovar, por do të nxiste bujqit t’i kthehen bujqësisë, të prodhojnë vetë kulturat bujqësore, e të cilët më parë për shkak të konkurrencës jo lojale i janë larguar kësaj veprimtarie./FaktePlus