Britania ia kthen ministrit francez që kërcënoi me “gjuhë të forcës”
Sekretari britanik i Mjedisit, Ushqimit dhe Çështjeve Rurale, George Eustice, ka paralajmëruar kundërpërgjigje me masa ndaj Francës, nëse ky shtet i çon përpara kërcënimet për sanksione ndaj vendit të tij. Ai paralajmëroi se “në këtë lojë mund të luajnë dy lojtarë”.
Franca ka kërcënuar se do t’ua ndalojë qasjen në porte barkave britanike, nëse Mbretëria e Bashkuar nuk u lëshon leje peshkimi barkave franceze.
Sekretari britanik tha se gjuha e përdorur nga zyrtarët francezë është nxitëse. Ai shtoi se do ta ngrejë çështjen me Komisionin Evropian, ndërsa ambasadorja franceze është thirrur në raportim, shkruan BBC.
I pyetur rreth deklaratës së ministrit francez për Evropën, Clement Beaune, se gjuha e vetme që e kupton Britania është gjuha e forcës, sekretari Eustice tha: “Kjo është tërësisht nxitëse dhe rrugë e gabuar për t’i trajtuar çështjet.”
“Tash për tash, ne nuk do të përgjigjemi në mënyrën që e ka bërë Franca, do ta ngremë këtë çështje me komisionin dhe përmes kanaleve diplomatike me ambasadoren franceze, por do ta rezervojmë të drejtën për të bërë më shumë gjëra, nëse Franca vazhdon përpara me këto kërcënime”, shtoi ai.
Britania ka thënë se barkat franceze, që u është refuzuar leja e peshkimit, nuk kanë paraqitur dëshmi të mjaftueshme për historinë e aktivitetit të tyre në ujërat britanike apo afër ishullit Jersey.