Britania e ka përnjëmend ndarjen nga BE-ja, ujërat e peshkimit do t’i ruajë me 4 anije luftarake
Katër anije patrulluese të Marinës Mbretërore do të jenë të gatshme nga 1 janari për të ofruar ndihmë në mbrojtjen e ujërave të peshkimit të Britanisë së madhe në rast të largimit përfundimtar nga BE-ja pa marrëveshje.
Anijet luftarake që janë të gjata 80 metra do të përdoren për ndalimin, inspekim dhe sekuestrimin e anijeve peshkuese të BE-së që operojnë në zonën ekskluzive ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar, e cila mund të shkojë deri në 200 milje nga bregdeti, shkruan The Guardian.
Burimet brenda forcave detare thanë se përdorimi i këtyre anijeve është planifkuar për një kohë të gjatë, ndërsa vendimi ka ardhur në kohën kur qeveria konservatore në heshje e dyfishoi numrin e anijeve patrulluese nga katër në tetë, pjesërisht për shkak të mundësisë së një krize të shkaktuar nga Brexit-i pa marrëveshje.
Ndonëse këto anije janë të pajisura me armë automatike, nuk pritet që ato të përdoren kundër anijeve të peshkimit që vijnë nga territoret e Bashkimit Evropian. Në vend të kësaj, anijet patrulluese mund t’i ndjekin anijet e dyshimta dhe t’i kontrollojnë ato, nëse një hap i tillë vlerësohet i nevojshëm.
Në rastet më esktreme, anijet e BE-së mund të konfiskohen dhe të dërgohen në portin më të afërt. “Askush nuk do të hapë zjarr kundër peshkatarëve francezë. Armët e zjarrit përdoren vetëm kur ka rrezik për jetën”, tha një burim brenda forcave detare.
Çështja e të drejtave të peshkimit është një nga pikat që ka shkaktuar mosmarrëveshje në negociatat mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian. Palëve u kanë mbetur edhe pak ditë për bisedime para skadimit të afatit të periudhës së tranzicionit, që mbaron më 31 dhjetor.