Britani/ Shkon në mbi 150 mijë numri i viktimave nga COVID-19
Britania ka regjistruar mbi 150 mijë vdekje të lidhura me koronavirusin që nga fillimi i pandemisë në mars 2020, transmeton Anadolu Agnecy (AA).
Vetëm të shtunën, 313 persona të tjerë vdiqën, duke e çuar numrin e vdekjeve në 150.057. Kjo shifër paraqet një rritje prej 38,3 për qind krahasuar me një javë më parë.
Të dhënat zyrtare treguan se 146.390 persona të tjerë kanë rezultuar pozitiv në virusin të premten, ndërsa 1,2 milion njerëz patën rezultat pozitiv të konfirmuar të testit në javën që fillon më 2 janar, që përfaqëson një rritje javore prej 10,6 për qind.
Sipas të dhënave të së mërkurës, 51,9 milionë njerëz kanë marrë dozën e tyre të parë të vaksinës, ndërsa 47,6 milionë njerëz kanë marrë dozën e dytë dhe 35,2 milionë janë vaksinuar me dozë përforcuese ose të tretë.
Doza e katërt është e panevojshme për momentin
Të shtunën, Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI) tha se doza e katërt e vaksinës nuk është ende e nevojshme dhe se prioriteti është që popullata të marrë dozat e para, të dyta dhe të treta.
Analiza nga Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Britanisë së Madhe (UKHSA) tregoi se parandalimi i shtrimit në spital te njerëzit e moshës 65 vjeç e lart mbeti në 90 për qind tre muaj pas marrjes së gjilpërës përforcuese.
“Të dhënat aktuale tregojnë se doza përforcuese po vazhdon të ofrojë nivele të larta të mbrojtjes kundër sëmundjeve të rënda, madje edhe për grupmoshat më të cenueshme. Kjo është shumë inkurajuese dhe thekson vlerën e vaksinës përforcuese”, tha profesori Wei Shen Lim i JCVI-së.
“Ashtu si vazhdon të përhapet varianti Omicron gjerësisht, unë i inkurajoj të gjithë të marrin dozën përforcuese, ose ata që nuk janë të vaksinuar, për dy dozat e para, që të rrisin mbrojtjen e tyre kundër sëmundjeve të rënda”, shtoi Lim.