Brestovci: Nuk synoj post ministror, do të jem vetëm deputet
Ka jetuar për 25 vite në Gjermani, ndërsa në vitin 2018 është kthyer në Kosovë. Tani për zgjedhjet e tetorit i ka hyrë garës për deputet në kuadër të Nismës Socialdemokrate. Synon që gjithë përvojën e tij si afarist që ka zhvilluar për një çerek shekulli në Gjermani ta sjellë edhe në Kosovë.
Bëhet fjalë për kandidatin për deputet nga Nisma Socialdemokrate, Bekim Brestovcin.
Në një intervistë për FaktePlus, Brestovci deklaron se e sheh veten fitues në zgjedhjet e 6 tetorit, kjo për shkak që siç thotë ai gjatë takimeve që po mban me qytetarë ka një mbështetje të jashtëzakonshme.
Brestovci, thekson se nëse merr besimin e qytetarëve, dhe Nisma Socialdemokrate do të jetë qeveri, pavarësisht përvojës profesionale nuk do të synojë asnjë post ministror.
“Po, nëse e marr legjitimitetin prej popullit atëherë nuk do i zhgënjej që të marr një pozicion tjetër, do e qoj deri në fund vullnetin e tyre të cilin do e shprehi përmes votës, pra Bekim Brestovci deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate”, ka thënë ai.
Por, thotë se sikur të pyetej më herët para futjes në garë për deputet do të udhëhiqte me Ministrinë e Diasporës, për faktin që ka jetuar 25 vite jashtë Kosovës dhe i njeh nevojat e diasporës.
Brestovci thotë se tani më nuk është duke e menduar këtë, për shkak që nëse zgjidhet deputet dëshiron ta qoj mandatin deri në fund.
“Të ju them të drejtën para futjes sime në garë për deputet, po të isha pyetur atëherë do të thoja me siguri që do të doja të udhëhiqja Ministrinë e Diasporës nga vet fakti që për 25 vite kam jetuar në diasporë dhe e njoh shumë mirë diasporën, e njoh si frymon diaspora, i njoh nevojat e tyre dhe do isha njeriu që me siguri do të krijonte një ndërlidhje shumë të mirë mes nevojave që ka diaspora, kërkesave që ka diaspora dhe në anën tjetër mundësive që pastaj ka shteti i Republikës së Kosovës për t’i vënë në dispozicion të diasporës. Mirëpo, tani jam në garë për deputet dhe nëse do të zgjidhem deputet me siguri që do e përfundoj mandatin tim kësaj radhe si deputet e herave të tjera të shohim si do të gjindemi”, ka deklaruar Brestovci, për FaktePlus.
Ai shpjegon edhe arsyet pse është futur në politikë dhe cilat janë synimet e tij në të ardhmen.
Brestovci thotë se është kthyer në Kosovë për të zgjidhur problemet më të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare.
“Po them që prej se jam kthyer në Kosovë kam prek edhe disa probleme tjera me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare, kështu që ma merr mendja që angazhimi im në politikë drejtpërdrejt do të krijojë një hapësirë më të madhe për mua për t’i zgjidh problemet me të cilat ballafaqohet shoqëria”, ka shtuar ai.
Në këtë rast, kandidati për deputet Bekim Brestovci tregon edhe arsyen, se përse i ka hyrë garës për deputet në kuadër të Nismës Socialdemokrate.
Ai pohon se deri më tani diaspora nuk ka gjetur asnjë mekanizëm përmes së cilës do të ishte e përfaqësuar në jetën politike dhe publike dhe se për këtë beson se Nisma ka hapësirë më të madhe.
“Te Nisma Socialdemokrate kam ardhë si rezultat i një koncepti tim të cilin unë e kam bërë publik për të gjithë lidhur me kyçjen e diasporës në jetën aktive politike… Nisma Socialdemokrate ka qenë partia e cila më ka bind që do të kem hapësirën më të madhe për implementimin e këtij koncepti, prandaj edhe kam vendosur që të jem pjesë e Nismës”, ka deklaruar Brestovci.
Kurse, duke folur për pritshmëritë e 6 tetorit, ai ka thënë se shpreson se si koalicion i përbërë nga tri subjekte politike do të arrijnë t’i kenë 15 deputetë në Kuvendin e Kosovës, shkruan FaktePlus.
“Unë besoj që një vlerësim real do ishte nëse ne dhe partnerët tanë të koalicionit synojmë bashkërisht t’i kemi 15 deputetë në Parlamentin e Kosovës”, ka thënë ai.
Brestovci, në këtë intervistë për FaktePlus ka treguar edhe një detaj interesant për kohën kur ka shkuar dhe është kthyer nga Gjermania.
“Është edhe një detaj shumë interesant ndoshta për shikuesit e juaj që unë me këpucët e mia të cilat kam ikur para 25 viteve të cilat i kam quajtur në atë kohë “këpucët e ikjes”, jam kthyer me të njëjta këpucë duke i shndërruar në “këpucë të kthimit”, gjë që flet që unë prej ikjes sime deri në kthimin tim gjithmonë kam synuar që një ditë t’i kthehem vendit”, ka thënë ai.
Brestovci, pohon se gjithë suksesin e tij deri më tani ia dedikon bashkëpunëtorëve të tij, për siç thotë se janë pikërisht këta të cilët kanë punuar pa hezitim gjatë gjithë proceseve që ka kaluar.
Nëse zgjidhet deputet thotë se do të jetë përfaqësues i denjë i interesave të diasporës, por edhe i nevojave që vendi ka në mënyrë që diaspora të jetë me tepër e përfaqësuar në sferën politike.
Intervistën e plotë me kandidatin e Nismës Socialdemokrate për deputet, Bekim Brestovci, mund ta shikoni më poshtë: