Brenda nëntë ditësh, dy vdekje apo vetëvrasje në burgjet e Kosovës
Brenda nëntë ditësh, dy persona kanë vdekur nëpër burgjet e Kosovës, ndërsa po vuanin dënimin. Rasti i parë ndodhi më 28 gusht, kurse sot më 6 shtator u raportua për një tjetër rast. Përfaqësues të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), këto vdekje po i cilësojnë si vetëvrasje, ndonëse ekspertizat finale të institucioneve përkatëse ende nuk janë bërë publike.
Me dy këto vetëvrasjet e fundit, siç i cilëson SHKK në kumtesat e saj për medie, ka arritur në 10 numri i personave që kanë humbur jetën vetëm dy vitet e fundit në burgjet e vendit.
FaktePlus ka tentuar disa herë gjatë ditës të kontaktojë me zyrtarët për informim në SHKK, por këta të fundit nuk kanë qenë të qasshëm për të dhënë hollësi për rastet.
Kujtojmë se më 28 gusht të këtij viti në burgun e Pejës u gjet i vdekur Binak Gjergjaj, i cili prej kohësh kërkohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe pritej ekstradimi i tij.
Dyshimet e para janë që i burgosuri Gjergjaj ka bërë vetëvrasje. Ai dyshohet se ka varur vetën, duke përdorur pjesë të mbulesës (qarshafit) të shtratit të tij personal.
Ky është personi që u gjet i vdekur në burgun e Pejës e të cilin e kërkonte SHBA-ja
E një rast pothuajse i njëjtë ka ndodhur edhe dje në orët e mbrëmjes në Burgun e Dubravës. Atje një 23 vjeçar me inicialet F.I, thuhet se ka bërë vetëvrasje, duke varur veten me jelekun e tij në grillat prapa derës së dhomës së qelisë.
Rasti është konfirmuar edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, duke thënë se intervenimi i stafit korrektues ka qenë i menjëhershëm, por përkundër përpjekjeve nuk është arritur të kthehet në jetë.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus, mëson se bëhet fjalë për personin me emrin Florim N. Imeri, nga Vushtrria.
Tashmë i ndjeri, ishte dënuar për veprën penale lëndim i rëndë trupor me 2 vite e 12 ditë burgim. Ai ishte arrestuar më 8 janar të këtij viti, ndërsa do të lirohej më 20 tetor të vitit të ardhshëm.
Siç mëson FaktePlus i burgosuri Florim Imeri më 30 korrik të këtij viti ishte bartur nga Pavijoni 2 në Pavijonin 5 për arsye të rrahjes me një të burgosur tjetër.
Ndërsa, që nga ajo kohë Imeri ka qenë i vetmuar në qeli ku edhe gjeti vdekjen.
Duhet theksuar se për shkak të vdekjeve të shpeshta nëpër burgje, organizata që merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, kanë reaguar disa herë. Nga to thuhet se ende ka shërbime joadekuate mjekësore brenda burgjeve të Kosovës. Sipas tyre, çdo vdekje e të burgosurve në burgje paraqet shqetësim dhe se shteti duhet të ketë obligim mbrojtjen e shëndetit të tyre./FaktePlus