Brazili shkatërron Serbinë, shënon dy gola
Brazili është dëshmuar si një prej pretendentëve më të mëdhenj për titullin e botës në Katar. Në ndeshjen e parë në Botëror, Brazili ka shkatërruar me lojë Serbinë. Dhe në fund ka fituar vetëm 2:0.
Për 1:0 shënoi Richarlison në minutën e 62-të. I njëjti lojtar në minutën e 73-të shënoi për 2:0. Goli i dytë ishte “kryevepër” futbolli. U vlerësua si goli më i bukur i Botërorit në Katar deri më tani.
Brazilianët kanë qëlluar shtyllën dy herë, ndërsa golit i janë afruar edhe në shumë raste.
Gjithsej Brazili i kishte 24 tentime për gol. Serbia i kishte katër tentime gjithsej. Brazili i kishte dhjetë goditje që shkuan në drejtim të portës, ndërsa Serbia asnjë.
Ndeshja u luajt në “Lusail Iconic Stadium”. Brazili është në grupin G, ndërsa ndeshjen e ardhshme e luan të hënën ndaj Zvicrës. Ndërkohë Serbia takohet me Kamerunin.
Fitorja vetëm 2:0 mund të ketë çmim të shtrenjtë për Brazilin. Ylli më i madh i kësaj përfaqësuese, Neymar, e ka lëshuar fushën pas një lëndimi.