BQK merr vendim për uljen e përkohshme të sigurimit kufitar
Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në mbledhjen e mbajtur me 24 qershor 2021 ka marrë vendim për uljen e përkohshme të sigurimit kufitar të auto përgjegjësisë.
Ky vendim i marrë nga menaxhmenti i BQK-së ka ardhur pas shqyrtimit të raportit aktuarial të datës 22 qershor 2021 të Byrosë Kosovare të Sigurimit mbi adekuatshmërinë e tarifave të sigurimit kufitar nga auto përgjegjësia, dhe është vlerësuar se ekziston bazë e mjaftueshme për ndryshimin e tarifave të primeve të sigurimit kufitar të auto përgjegjësisë për automjete dhe motoçikleta për udhëtarë.
Me anë të këtij vendimi Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, kërkon nga Byroja Kosovare e Sigurimeve që në emër të anëtarëve të saj, siguruesve të licencuar për sigurimin e detyrueshëm nga auto përgjegjësia, të ulë përkohësisht tarifat e sigurimit kufitar të auto përgjegjësisë për grupet tarifore të auto veturave dhe motoçikletave për 35 për qind.
Po ashtu me anë të këtij vendimi kërkohet që aplikimi i tarifave të reja të policave kufitare të zbatohet nga data 1 korrik 2021 deri më 31 dhjetor 2021.