BQK mbyll “IuteCredit” dhe “Monegon” (VIDEO)
Banka Qendrore e Kosovës sot ka marrë vendim që të mbyllë Monegon dhe Iute Credit, dy këto institucione mikrofinanciare që veprimtarinë e tyre e kanë zhvilluar në Kosovë.
Ky vendim është marrë pasi që të dyja këto institucione kanë lëshuar kredi me norma të larta të interesit, shkruan FaktePlus.
E, gjithë kjo u bë e ditur gjatë ditës në një konferencë të jashtëzakonshme për media të ftuar nga BQK-ja.
Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka thënë se këto institucione kanë dështuar t’i sjellin tregut tonë rezultatet e pritura dhe, përkundrazi, me veprimtarinë e tyre kanë rrezikuar aftësinë paguese të huamarrësve dhe me këtë kanë paraqitur rrezik edhe për stabilitetin financiar të vendit.
“Ato i kanë sjellë diçka tjetër tregut nga çka kanë premtuar. Devijimi më shqetësues ka të bëjë me normën e interesit në kredi që kanë rezultuar të jenë shumëfishë më të larta sesa që ato janë paraparë. Normat e interesit janë jashtë çdo standardi, prandaj BQK është përpjekur që t’i adresojnë këto probleme. Ne vlerësojmë se këto institucione kanë dështuar t’i sjellin tregut rezultate të mira”, ka thënë Mehmeti.
Monego dhe Iute Credit janë institucione financiare që ofrojnë kredi të shpejta konsumuese.
Në Kosovë operojnë 23 institucione mikrofinaciare, me 183 njësi në nivel vendi. Norma mesatare efektive e interesit për kredi, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, është 20.3 për qind./FaktePlus