BQK: Investimi në kriptovaluta bartë rrezik të lartë
Qarkullimi i kriptovalutave, apo parave virtuale, nuk është i rregulluar me kornizën ligjore apo rregullative të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Prandaj investimi i qytetarëve në to është me rrezik të lartë, thonë në BQK. Nga ky institucion po e shohin shqetësues rritjen e interesimit të qytetarëve për kriptovaluta.
“Pasi kripto valutat / paratë virtuale nuk janë të rregulluara, BQK-ja nuk mund të ndaloj qarkullimin e tyre. Gjithashtu, BQK përmes publikimeve të mëhershme ka paraqitur qëndrimin e saj, i cili është në linjë me shumicën e bankave qendrore të vendeve tjera dhe i cili vazhdon të jetë i njëjtë, se investimi në këto valuta bartë rrezik të lartë për shkak të luhatjeve të mëdha të vlerës së tyre në treg, prandaj personat që investojnë në këto valuta duhet të kenë parasysh se mund të pësojnë humbje të mjeteve të investuara”, thuhet në një përgjigje të BQK-së për Buletinin Ekonomik.