BQK e shqetësuar për plaçkitjen e bankave: Po dekurajohen investitorët
Grabitjet nëpër banka janë bërë të zakonshme ditëve të fundit në Kosovë. Vetëm gjatë këtij viti kanë ndodhur dhjetëra plaçkitje nëpër filiale bankare. Kurse, rasti i fundit ka ndodhur gjatë ditës së diel, ku cak i hajnave ishte banka TEB. Të shqetësuar për këto plaçkitje janë shprehur edhe Shoqata e Bankave dhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
Nuk kanë kaluar ende 24 orë nga vjedhja e fundit që ka ndodhur në njërën nga bankat që vepron në Kosovë. Një vjedhje e tillë, në një bankë tjetër ndoshta mund të ndodh edhe pas 24 orëve të tjera… Apo, plaçkitja e një banke mund të bëhet ende pa përfunduar ky shkrim…
Rastet e shumta të plaçkitjeve të bankave, kanë filluar ta shqetësojë edhe Bankën Qendrore të Kosovës (BQK).
Në këtë institucion, që ka për detyre mbikëqyrjen e bankave të Kosovës, kanë thënë se çështja e plaçkitjeve të bankave është kthyer në dukuri shqetësuese.
“Çështja e plaçkitjeve të bankave është kthyer në dukuri, e cila mund të shkaktojë humbje për bankat, si dhe mund të dekurajojë investitorët e mundshëm për të investuar në sektorin bankar dhe në ekonominë tonë në përgjithësi. Në fillim shkurtit, pas disa takimeve të inicuara nga Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit me ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe drejtorin Ekzekutiv të Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija. Marrëveshja ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit për ngritjen e nivelit të sigurisë në sektorin bankar në mënyrë që bankat, personeli i tyre dhe qytetarët të kenë një ambient sa më të sigurt për zhvillimin e aktivitetit të tyre”, ka thënë për FaktePlus, Kushtrim Ahmeti zyrtar për media në BQK
Ai ka treguar po ashtu se bankat informojnë Bankën Qendrore lidhur me këto ngjarje dhe organet tjera përkatëse që janë përgjegjëse.
“Më lejoni të ju informoj që, sipas Rregullores për Menaxhimin e Rrezikut Operacional, bankat informojnë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës lidhur me këto ngjarje dhe organet tjera përkatëse që janë përgjegjëse. Çdo dëmtim financiar që ndodhë me rastin e vjedhjeve të bankave, kompensohet nga vetë banka dhe asnjëherë nga klientët apo BQK-ja. Për më shumë, në funksion të mbulimit të dëmeve financiare bankat sigurojnë paranë e gatshme”, ka thënë ai.
Gjatë ditës së sotme edhe Shoqata e Bankave ka reaguar ndaj sulmit të djeshëm me eksploziv ndaj bankomatit të njërës nga bankat komerciale në Kosovë.
Kjo shoqatë ka dënuar fuqishëm këtë akt kriminal, duke thënë se krijon pasiguri në sektorin financiar, rrezikon mirëqenien e qytetarëve dhe dëmton rëndë imazhin e Kosovës.
Sektori bankar kërkon nga institucionet e sigurisë së vendit që sa më parë të sjellin para drejtësisë këto grupe kriminale që synojnë të dëmtojnë bizneset e Kosovës.
“E keqja duhet të luftohet me të gjitha forcat që ka shteti për të shmangur rrënimin e rendit dhe ligjit në vend”, thuhet në reagimin e shoqatës.
Që nga viti i kaluar janë shtuar grabitjet e armatosura në banka dhe institucione të tjera financiare.
Në dhjetorin e 2018, një polic ishte vrarë në detyrë, përderisa tentonte të parandalonte një plaçkitje në Istog. E i vrarë në vend kishte mbetur edhe plaçkitësi./FaktePlus