“Bosi” i patundshmërive, Lushtaku që 4 vite me borxhe ndaj shtetit
Edhe pse kanë të ardhura të majme e pasuri milionëshe, figurat politike në vend vazhdojnë të jenë shembull i keq për qytetarët kur është fjala për moskryerjen e obligimeve të tatimit në pronë ndaj shtetit.
Duhet theksuar se qytetarët e vendit as veturën nuk mund ta regjistrojnë pa shlyer borxhin e tatimit në pronë, kurse kjo duket se nuk është e domosdoshme kur bëhet fjalë për njerëz të politikës që kanë pasuri të majme.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus në vazhdën e publikimeve të figurave të politikës në vend për mos pagesën e tatimit në pronë, tani ka nxjerrë dokumentin i cili vërteton se deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku që katër vite nuk i ka paguar asnjë cent shtetit për pronat që figurojnë në emër të tij.
Prona në kqyeqytet prej qindra mijëra euro
Mërgimi që është djali i ish- kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, posedon tri prona palujtshmërive në qytetin e Prishtinës.
Në dokumentin e zyrës së tatimit në pronë, thuhet se Mërgim Lushtaku është pronar i një objekti familjar me dimensione 443 metra katror në vlerë prej mbi 326 mijë euro dhe një pronë rezidenciale me 20 metra katror në vlerë prej 3.520 euro. Që të dyja këto prona thuhet se janë “Arben Xheladini” në Prishtinë, kurse borxhi ndaj shtetit për këto pronë është 494 euro.
Ndërkaq një apartament tjetër me 65 metra katror Lushtaku e ka në rrugën “Viktor Majer”, në Prishtinë. Kjo pronë ka vlerën prej 32 mijë e 500 euro, e borxhi tatimor është 26 euro.
Borxhet e Lushtakut
Në dokumentin të cilin e ka siguruar FaktePlus, deputeti Lushtaku nuk ka paguar tatimin për pronat e tij që nga viti 2015 dhe borxhi ka arritur në 1520 euro.
Nga dokumenti që titullohet “Specifikimi i borxheve”, e që është nxjerrë këtë muaj nga zyra tatimore, vërtetohet në vitin 2015 Lushtaku ka një borxh prej 81 euro. Në vitin 2016 një borxh prej 99 euro, kurse në vitin 2017 ka borxh 230 euro, si dhe në vitin 2018 borxhi është rritur në 588 euro.
Ndërsa për pagesë të menjëhershme ai është urdhëruar të shlyej borxhin prej 999 euro.
Pasuria e deputetit Mërgim Lushtaku
Në deklarimin e pasurisë së tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), deputeti Mërgim Lushtaku thotë se ka një veturë Mercedes B180 në vlerë prej 18 mijë euro.
Ai po ashtu, ka deklaruar 45 mijë e 500 euro para të gatshme, shtuar kësaj shume edhe paratë e bashkëshortes së tij, e cila ka 12 mijë e 500 euro në bankë, shkruan FaktePlus.
Lushtaku paraqitet aksionar me 40, 50 dhe 100 për qind në katër biznese: “AIM”, “Ferma Jonë”, “Virtyti Sh.p.k.”, dhe “Koni Projekt” sh.p.k.
Vetëm në kompaninë “Koni Projekt”, deputeti i PDK-së thotë se ka investuar 26 mijë e 500 euro.
E Mërgim Lushtaku përveç bizneseve ka edhe të ardhura tjera nga shteti. Ai ka të ardhura të ‘majme’ mujore duke marrë pagë nga Kuvendi i Kosovës në vlerë prej 8 mijë e 248 euro në vit, pastaj një pagë tjetër prej 2 mijë e 730 euro në vit nga MAP/BK, si dhe një honorar nga kompania ‘Ibër-Lepenci’ prej 4 mijë e 326 euro në vit./FaktePlus