Borxhi prej 53 milionë ndaj “Bechtel&Enkas” bartet për vitin tjetër
Në gjysmën e vitit 2018, Qeveria e Kosovës mori vendim që t’ia paguajë kompanisë “Bechtel&Enka” 53 milionë euro shtesë për autostradën “Arbën Xhaferi”. Për ta kryer këtë pagesë përgjegjësia i ra Ministrisë së Infrastrukturës, si kontraktor që ishte. Por, në këtë institucion thonë se paratë ende nuk janë derdhur në xhirollogarinë e këtij konsorciumi, shkruan FaktePlus.
Nuk ka një datë të saktë se kur do të paguhen këto mjete, por sipas zyrës për informim të Ministrisë së Infrastrukturës pagesa do të bëhet më së largu deri në qershor të vitit 2019 dhe se nuk ka rrezik prej ndonjë penalltie në të ardhmen sa i përket këtij projekti.
“Pagesat e zgjatjes së kontratës do të përfundojnë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Me aneks kontratën e nënshkruar i kemi mbyllur të gjitha çështjet sa i përket mundësisë së penalltive në të ardhmen. Pra, ne e kemi siguruar që të mos rrezikohet buxheti i shtetit prej ndonjë penalltie në të ardhmen sa i përket këtij projekti”, thuhet në një përgjigje të zyrës së informim për FaktePlus.
Më 5 qershor 2018, ministri aktual i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se kompania në fjalë ka kërkuar 63 milionë euro për shkak se ishte zgjatur afati i përfundimit të punëve, por që pas diskutimeve kishin arritur ta ulin këtë shifër për 10 milionë euro, duke u dakorduar për një pagesë prej 53 milionë euro.
Konsorciumi turko-amerikan “Bechtel& Enka”, kishte kërkuar mjete shtesë për shkak të dështimit të, siç është potencuar, Qeverisë së kaluar që t’i paguajë me rregull faturat.
Ky borxh kishte nxitur polemika të shumta në Kosovë nga radhët e opozitës dhe shoqërisë civile.
Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila në kohën e nënshkrimit të kontratës me kompaninë ndërtuese, ka qenë në pushtet ka kritikuar Qeverinë Haradinaj për ndarjen e 53 milionë eurove, pasi, sipas tyre, vendimi ishte i padrejtë dhe joligjor.
Ish- ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tani deputet nga radhët e LDK-së, kishte thënë se borxhi ndaj këtij konsorciumi, sipas vlerësimeve zyrtare, ka qenë diku pak mbi 14 milionë euro.
Sipas tij, ndarja e mjeteve shtesë në bazë të kontratës mes kompanisë dhe Qeverisë, është dashur të bëhet paraprakisht pas vlerësimeve nga kompania konsulente “Hill International”, e cila i mbikëqyrë punimet në autostradë.
Kurse deputeti nga radhën e Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta bëjë publike marrëveshjen për këtë çështje.
“Ky 53 milionësh që përmendet në raporte kudo, quhet si penalizmi i Qeverisë së Kosovës, urdhëroni na i sillni dokumentet ku e si u penalizuam. Për mua ky nuk është penalizim. Nuk është penalizmi i Republikës së Kosovës për punën në pagesë, por konkretisht është dhënë në mënyrë të parregullt ky 53 milionë eurosh”, thoshte Aliu.
Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit, që lidh Kosovën me Maqedoninë, e cila për t’u ndërtuar kap shumën e rreth 600 milionë eurove, ka filluar të ndërtohet në korrik të vitit 2014, dhe thuhet se do të jetë e gatshme për qarkullim në fund të vitit 2018. Mirëpo, kontrata në mes kompanisë ndërtuese dhe Qeverisë asnjëherë nuk është bërë publike për opinionin./M. B-FaktePlus