Boris Johnson nxori Britaninë nga BE’ja, i ati kërkon pasaportë franceze
Stanley Johnson, babai i kryeministrit britanik Boris Johnson ka kërkuar pasaportën franceze që të mund të vazhdojë të lëvizë normalisht në Bashkimin Evropian.
Ishte pikërisht i biri, ai që nxori mbretërinë nga unioni në janar. Motra e Boris Johnson, Rachel, botoi kohët e fundi një libër të titulluar “Rake’s Progress”.
Në këtë libër, ajo thotë se Stanley Johnson, një ish-eurodeputet, votoi për të qëndruar në BE, ndërsa kurrë nuk e fshehu qëndrimin kundër rolit të djalit të tij.
Ai aplikoi për një pasaportë franceze, pasi nëna e tij, Irene, gjyshja e Boris, lindi në Versajë. Kurse gjyshja e tij, jetoi për disa vite në Paris. Sipas tij, këto arsye mund të jenë të mjaftueshme që kërkesa e tij të pranohet.
Sunday Times shkruan se një tjetër arsye pse Stanley dëshiron të marrë një pasaportë franceze, mund të jetë dëshira që nipërit dhe mbesat e tij, në një të ardhme të punojnë dhe të jetojnë në BE, pas Brexit. Kryeministri britanik nuk ka folur ende për këtë çështje, për shkak të pandemisë së koronavirusit.