Biznesmeni Piraj: Qeveria t’ia shtyejë afatin e pagesës së TVSH-së bizneseve prodhuese që ato të frymojnë normalisht
Biznesmeni Pirro Piraj mendon që për t’iu lehtësuar operimi bizneseve prodhuese, atyre duhet t’u shtyhet afati i pagesës së TVSH-së.
Sipas Pirajt, qeveria duhet t’ua mundësojë bizneseve prodhuese ta paguajnë TVSH-në pas arkëtimit të mjeteve për shitjen e realizuar apo pas 90 ditësh.
“Personalisht mendoj që në qoftë se qeveria do të ua mundësonte bizneseve prodhuese ta paguajnë TVSH-në pas arkëtimit të mjeteve për shitjen e realizuar, ose në qoftë se do të vendoste afatin e pagesës së TVSH-së pas 90 ditësh, jam i bindur që shumica e kompanive prodhuese do të frymonin normalisht, dhe sigurisht se do të barazoheshin me bizneset tregtare, që për momentin janë të favorizuara tej mase”, ka shkruar Piraj në ‘Facebook’, transmeton FaktePlus.
Piraj ka shkruar se deri më tash TVSH-ja paguhet në formë jo të drejt pasi që sipas tij shitjet më të mëdha janë me afat pagese dhe bizneset automatikisht duhet ta paguajnë TVSH-në për mallin e shitur edhe pse ende nuk i kanë arkëtuar mjetet për atë mall të shitur.
Shkrimi i plotë:
Duke i pas parasysh ndryshimet e vazhdueshme në treg, mendoj se qeveria jonë, si qeveri që synon rritjen e prodhimit dhe punësimin e popullit, duhet që prodhuesve të ua lehtësoj operimin, e një nga faktorët që do të ndikonte jashtëzakonisht shumë është ndryshimi i afatit të pagesës së TVSH-së, afat ky që për momentin është 20 ditë pas përfundimit të muajit, ndërsa duke i pas parasysh ndryshimet e vazhdueshme në treg, ku afatet e pritjeve të pagesave kanë kaluar 60 ditë, aktualisht pagesën e TVSH-së bizneset prodhuese e bëjnë shumë më herët se arkëtimin e mjeteve financiare, pra edhe pse me ndryshimet e fundit fiskale, bizneset e paguajnë TVSH-në pas shitjes, bizneset prodhuese, vazhdojnë ta paguajnë TVSH-në në formë jo të drejt, pasi që shitjet më të mëdha janë me afat pagese dhe automatikisht duhet ta paguajnë TVSH-në për mallin e shitur edhe pse ende nuk i kanë arkëtuar mjetet për atë mall të shitur!
Personalisht mendoj që në qoftë se qeveria do të ua mundësonte bizneseve prodhuese ta paguajnë TVSH-në pas arkëtimit të mjeteve për shitjen e realizuar, ose në qoftë se do të vendoste afatin e pagesës së TVSH-së pas 90 ditësh, jam i bindur që shumica e kompanive prodhuese do të frymonin normalisht, dhe sigurisht se do të barazoheshin me bizneset tregtare, që për momentin janë të favorizuara tej mase.
Nuk mund të kemi ekonomi normale dhe të zhvilluar, pa përkrahjen e prodhimit!