Biznesmeni i lindur në Pejë paraqet kërkesë që të bëhet 20 vjet më i ri
Në ditëlindjen e tij të 65-të, politikani dhe biznesmeni serb Bogoljub Kariq i lindur në Pejë, ka paraqitur kërkesë në administratën e qytetit të Kragujevcit për ndryshimin e vitit të lindjes, që në dokumente do ta bënte atë 20 vjet më të ri, pasi siç thotë ai, nuk dëshiron të pensionohet dhe nuk dëshiron të jetë barrë e shtetit.
Kariq ka paraqitur kërkesë për të vërtetuar se ka lindur më 17 janar 1974 në Pejë, e jo më 17 janar 1954, siç është regjistruar në amzë, shkruajnë mediat serbe.
Siç thuhet në deklaratën e Bogoljub Kariqit, kërkesa bazohet në ligje të vlefshme dhe fakte të padiskutueshme.
Ai thekson se këtë kërkesë e ka paraqitur sepse ndihet ende i aftë për të punuar, duke sjellë përfitime për familjen dhe mbarë shoqërinë, sepse nuk dëshiron të dalë në pension dhe të jetë barrë për buxhetin e Serbisë, fondin e sigurimeve pensionale dhe invalidor.
Kariq thekson se e ka paraqitur atë kërkesë jo vetëm për shkak të vetes së tij, por edhe për shkak të të gjithë atyre që ndihen njësoj dhe që mendojnë se njeriu nuk është kurrë i moshuar.