Bizneset nën dry, ministria u thotë se nesër e keni afatin e fundit t’i paguan tatimet
Bizneset ndodhen para datës së fundit të deklarimit dhe pagesës së tatimeve të cilat u janë grumbulluar për dy muaj, shtuar kësaj tatimet e muajit Prill të cilat do të deklarohen dhe paguhen në datat e rregullta të përcaktuara me ligjet tatimore. Sipas ekspertëve kjo e rëndoi gjendjen e bizneseve edhe më shumë.
Për shkak të përhapjes së pandemisë COVID-19, qeveria vendosi masa kufizuese për bizneset. Shumica prej tyre që afro dy muaj janë të mbyllura.
Edhe pse nuk e kanë qarkulluar asnjë centë, ato do të detyrohen që nesër të paguajnë tatimet në Administratën e Kosovës. Shtyrja e afatit prej më shumë se një muaji vetëm sa ua grumbullojë borxhet.
Në bazë të vendimit të ri nga Ministria e Financave dhe Transfereve, i publikuar me datën 27.04.2020, tatimet duhet të deklarohen dhe të paguhen deri me datën 30.04.2020, përveç Pasqyrës tremujore të tatimit dhe kontributit si dhe Pasqyrës tremujore të pagesës paradhënie.
Më datë 19.03.2020 është marrë vendim që të shtyhen afatet për pagesë të tatimeve me qëllim të lehtësimit të tatimpaguesve të Kosovës marrë parasysh vështirësitë financiare të shkaktuara në mënyrë direkte ose indirekte nga vendimet e marra nga Qeveria për parandalim të pandemisë COVID19.
Qëndresa Gashi, eksperte e kontabilitetit dhe financave nga ACCON Consulting, thotë se po i përcjellë më vëmendje vendimet e MFT-së dhe ka sqaruar për lajmi.net se tash me vendimin e ri bizneset janë të ngarkuara me tatime komulative për periudhën Shkurt, Mars, Prill dhe Tatimin mbi Fitimin për vitin fiskal 2019 në të njëjtën kohë kur gjendja financiare vetëm është vështirësuar dhe bizneset nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për shlyerjen e të gjitha këtyre obligimeve tatimore.
“Deklarimet e tatimeve mund të realizohen deri më datën 30.04.2020, mirëpo afatet për pagesë të tatimeve do të duhej të zgjatën deri me 30 Qershor 2020, ndërsa për bizneset të cilat me masat e marra nga Qeveria e Kosovës nuk u është lejuar të punojnë, sipas listës me kode “NACE” (siç janë të regjistruara në ARBK) do të duhej të ju mundësohet të paguajnë obligimet tatimore me këste për 12 muaj”, thotë ajo duke e shpjeguar situatën.
Ndërkohë, ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Beslimi ka thënë se “Tatimpaguesit të cilët janë në vështirësi financiare për shkak të pandemisë, munden që të bëjnë kërkesë për marrëveshje të pagesës me këste, dhe bazuar në dëshmitë e prezantuara, Administrata Tatimore e Kosovës mund të mundësojë formën e tillë të pagesës për këto lloje të tatimit duke i rezervuar vetes të drejtën që pas përfundimit të masave në fuqi edhe të bëjë verifikimin e secilit rast”.
Por, në bazë të paragrafit 6, neni 28 të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, në rastet kur tatimpaguesit paraqesin në ATK, kërkesë për pagesë të tatimit me marrëveshje me këste, interesi nuk duhet të rrjedh nga muaji që pason në muajin në të cilin marrëveshja është vendosur deri sa është respektuar tërësisht.
Qëndresa tutje tha për lajmi.net se ministria duhet të anuloj kalkulimin e interesit pas datës 30 prill që aplikojnë për pagesa të vonuara.
“Bizneset ndodhen para datës së fundit të deklarimit dhe pagesës së tatimeve dhe duke marrë parasysh numrin e reduktuar të punëtorëve në Administratën Tatimore për qëllim të respektimit të distancës sociale është e pamundur që të trajtohet secili rast deri me 30.04.2020, ndërsa pas datës 30.04.2020 në bazë të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, do të fillojë të kalkulohet interesi. Ministria e Financave dhe Transfereve duhet të anuloj kalkulimin e interesit pas datës 30.04.2020 për bizneset që aplikojnë për marrëveshje me këste”, shtoi tutje ajo.