Bizneset në Brezovicë haptas me “kupon serb”, shteti paralajmëron masa (Video+Foto)
Zhvillon biznesin në territorin e Kosovës, por kafe-restaurant “Ljuboten” në Kompleksin Resort “Brezovica”, si edhe shumë biznese tjera në këtë vend, nuk çajnë kokën për shtetin e Kosovës. Atje nuk ka ende arka fiskale dhe nuk paguhet asnjë cent tatim për shtetin.
Administratën Tatimore të Kosovës dhe inspektorët e saj i kemi parë shpeshherë në aksion në luftën e tyre ndaj evazionit fiskal. Por, aksione të tilla nuk kemi parë edhe nëpër zonat ku ka biznese serbe.
Kështu biznese e kompani serbe që ushtrojnë veprimtarinë në qendrën e skijimit në Brezovicë ende nuk janë pajisur me arka fiskale dhe nuk lëshojnë kuponë fiskal për klientët.
Njëjtë zhvillon biznesin edhe kafe-restaurant “Ljuboten” në Kompleksin Resort “Brezovica”. Ky biznes nuk lëshon kuponë fiskal dhe rrjedhimisht nuk paguan taksat ndaj shtetit të Kosovës.
Për klientët, ai ka improvizuar një lloj kuponi, por që nuk ka të bëjë me kuponë fiskal të Republikës së Kosovës. Veç kësaj, çdo shkronjë në këtë “kuponë” është vetëm në gjuhën serbe.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka siguruar një “kuponë” të tillë.
E për ikjen nga tatimet ndaj shtetit të këtij biznesi nuk janë në dijeni në Agjencinë Tatimore të Kosovës (ATK).
Pas interesimit të Agjencisë së Lajmeve FaktePlus, zyrtarja për informim në ATK, Valentina Bytyqi-Sefa thotë se do të marrin masa ndaj këtij biznesi.
“Ne sapo e raportuam këtë rast, meqë kuponi i bashkangjitur nuk është kupon fiskal. Inspektorët tanë shumë shpejt do të dalin në teren dhe do të ndërmarrin masa për biznesin në fjalë”, ka thënë ajo.
Tutje, Bytyqi-Sefa ka përmendur se çdo tatimpagues i cili ofron shërbime për klient me para në dorë duhet të lëshojë kuponë fiskal për klientët.
“Ju falënderojmë për informacionin, ATK çdoherë pas çdo informacioni nga qytetarët trajton rastin në bazë të legjislacionit tatimor. Çdo tatimpagues i cili ofrojnë shërbime për klient me para cash duhet të lëshojë kupon fiskal për klientit. Në rast se kjo nuk ndodh atëherë ndërmerren masa ndaj tatimpaguesit, me gjoba të cilat sillen nga 120 deri ne 1000 euro”, tha Bytyqi-Sefa./FaktePlus