Bizneset ankohen për mungesë të punëtorëve të kualifikuar, rritja e pagës shihet si zgjidhje

Kompanitë kosovare po e shohin rrezik të madh mungesën e punëtorëve të kualifikuar në zhvillimin ekonomik gjatë 12 muajve të ardhshme, thuhet në një matje të publikuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare të enjten.
Nga 103 biznese sa kanë marrë pjesë në këtë anketim, 58 për qind e tyre e kanë thënë se mungesa e punëtorëve është rrezik i madh, ndërsa zgjidhje për këtë, 48 për qind e shohin ngritjen e pagave mbi mesataren e tregut.

Bizneset kanë thënë se ndër masat e tjera që do t’i marrin për zbutjen e pasojave të mungesës së punëtorëve janë zhvillimi i trajnimeve brenda kompanisë, digjitalizimi i shtuar, përdorimi i shtuar i punëtorëve të përkohshëm e të tjera.
Sipas rezultateve të nxjerra nga Oda, 34 për qind e bizneseve të përfshira në sondazh e vlerësojnë si të kënaqshme punën e Qeverisë Kurti, 26 për qind të mirë, 24 për qind të keqe dhe 16 prej tyre s’kanë shprehur mendim.

“Pritshmëritë e kompanive të anketuara në lidhje me zhvillimet në sektorin e tyre krahasuar me vitin e kaluar, janë përmirësuar dukshëm. 67% e kompanive tregojnë në vitin 2023 pritshmëritë e tyre janë për një përmirësim të situatës ekonomike në sektorin e tyre. Si në vitin e kaluar, 26% thanë se situata do të mbetet e pandryshuar, ndërsa vetëm 7% pritnin një përkeqësim të saj”, thuhet tutje në raport.
Lufta në Ukrainë dhe rritja e çmimeve të energjisë thuhet se janë ndër shkaqet që po e rëndojnë performancën ekonomike të Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor. Në raport u tha se ekonomia po jep indikacione që po shkon drejt stabilizimit, por që çmimet ende janë të larta.
Nga institucionet qendrore u kërkua luftimi i korrupsionit, përmirësimi i infrastrukturës për të bërë biznes, transparenca, përmirësimi i cilësisë së sistemit të arsimit profesional dhe disponueshmëria e punëtorëve të kualifikuar. Në krahasim me rajonin e Evropës së Mesme dhe Lindore, Kosova po konsiderohet relativisht më mirë në sektorin e biznesit.