Bislimi: Nominimi i Osmanit për kryeministre nga LDK, hap në drejtimin e gabuar
Tashmë kur jemi afër zgjedhjeve të parakohshme dhe subjektet politike kanë intensifikuar takimet për koalicionet parazgjedhore, në diskutime për një koalicion të tillë janë edhe dy subjektet më të mëdha politike Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Por, deri më tani në mes tyre ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje finale. Kjo për shkak se që të dyja partitë tashmë kanë caktuar kandidatët për kryeministër.
Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës edhe zyrtarisht ka caktuar Vjosa Osmanin, kurse Lëvizja Vetëvendosje edhe pse zyrtarisht nuk ka shpallur kandidatin e saj, tashmë është bërë e ditur që kandidat për kryeministër do të jetë Albin Kurti.
E, menjëherë pas kandidimit të Vjosa Osmanit për kryeministre nga LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje kishin zhvilluar një takim e në të cilin kanë rënë dakord që nuk do të kenë diskutime dhe as bashkëpunim me asnjë subjekt tjetër politik.
Këtë e ka konfirmuar për FaktePlus, edhe nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi.
Duke folur për kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre, Bislimi ka thënë se nominimi i kësaj të fundit nga ana e LDK-së, pa konsultime paraprake është hap i gabuar.
“Ne nuk e kemi nxjerrë ende kandidatin tonë për kryeministër, po mendoj në aspektin formal, meqë për këtë vendos Këshilli i Përgjithshëm i Vetëvendosjes. Nominimi i Vjosa Osmanit nga ana e LDK-së, pa konsultime paraprake me siguri që është hap në drejtimin e gabuar, por na mbeten edhe tri ditë për shikuar se sa ka ndihmuar apo penguar ky nominim arritjen e një marrëveshje”, ka thënë Bislimi për FaktePlus.
Kurse, duke folur për afate kohore, kur dihet se është thënë se kanë mbetur vetëm edhe tri ditë kur edhe do të vendoset se a do të arrijnë marrëveshje për koalicion parazgjedhor, Bislimi ka deklaruar se nëse deri më 29 gusht nuk ka përafrim mes të dyja subjekteve politike, atëherë gjasat që kjo të ndodhë pas kësaa date janë minimale.
“Unë mbetem optimist që deri më datën 29 gusht, që i bie një ditë para përfundimit të afatit të caktuar nga KQZ. Nëse nuk ka përafrim deri më 29 gusht, shanset që kjo të ndodhë në ditën e fundit janë minimale”, ka shtuar ai.
I pyetur rreth asaj se cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm nëse LDK, nuk lëshon pe dhe është e vendosur kategorikisht që posti i kryeministrit t’u takoj atyre, nënkryetari Bislimi ka pohuar se marrëveshja nuk bëhet në bazë të dëshirave.
“LDK nuk ka thënë që nuk lëshojnë pe në këtë element, por kanë përsëritur preferencën dhe dëshirën e strukturave të tyre që ky post t’i lihet LDK-së. Marrëveshja nuk do të bëhet në bazë të dëshirave, por në bazë të analizës së situatës dhe gjetjes së atij individi që shërben si garant i pakontestueshëm për zbatimin e plotë të marrëveshjes, një individ lidershipi i të cilit nuk konstestohet as brenda subjektit politik e as tek qytetarët e vendit”, ka thënë ai.
Bislimi, për FaktePlus ka shpalosur edhe atë se për çfarë janë dakorduar në takimin e djeshëm me LDK-në.
“Jemi dakorduar që nuk do të ketë diskutime dhe as bahskëpunim me asnjë subject tjetër politik dhe besoj që ky është hap i madh. Po ashtu jemi dakorduar që qeveria e ardhshme duhet të vendosë si prioritet mbi prioritete punësimin dhe luftimin e krimit e korrupsionit. Jemi dakorduar që është shumë me rëndësi që në qeverinë e ardhshme të kemi shumë më pak ministri dhe të nxjerrim në krye të saj personat që pa asnjë dyshim e dërgojnë sinjalin tek qytetarët se modeli qeverisës do të ndryshojë komplet”, ka deklaruar Bislimi.
Deri më tani koalicion parazgjedhor kanë arritur AAK dhe PSD, ku kandidat për kryeministër kanë caktuar liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj dhe NISMA Socialdemokrate dhe AKR, me kandidat për kryeministër, Fatmir Limaj./FaktePlus