Bill Gates thotë se AI do ta bëjë më të lehtë luftimin e ndryshimeve klimatike
Bill Gates ka thënë se Inteligjenca Artificiale (AI) do të përshpejtojë inovacionin dhe do ta bëjë më të lehtë luftimin e ndryshimeve klimatike – por gjithashtu paralajmëroi se duhet “të përdoret nga njerëz me qëllim të mirë”.
Filantropisti dhe bashkëthemeluesi i Microsoft-it i bëri komentet gjatë një interviste me Sky News.
Gates ka thënë se AI deri më tani kishte “luajtur një rol mjaft modest” në ndihmën për të luftuar ndryshimet klimatike, por do ta bënte inovacionin “shumë më të lehtë”.
Ai tha: “AI na ndihmon të modelojmë gjërat në shkenca: të kuptojmë më mirë materialet, katalizatorët dhe si të bëjmë proteinat”.
“Inteligjenca artificiale, në çdo fushë të përpjekjeve, do të përshpejtojë inovacionin,…”.
Ndërsa kur u pyet nëse ai ishte i shqetësuar për deklarimet se teknologji të tilla mund të përdoren për të përmbysur qeveritë, Gates tha se “nuk e kishte dëgjuar atë skenar të veçantë”.
“Inteligjenca artificiale është aq e rëndësishme sa duhet të sigurohemi se përdoret kryesisht nga njerëz me qëllim të mirë”, tha ai.
Ai shtoi se “sa herë që keni një teknologji të re”, ajo “kryesisht përdoret nga mësuesit, mjekët dhe shkencëtarët për t’i ndihmuar ata të jenë më efektiv”, por tha se “AI mund të përdoret nga” njerëz të përfshirë në sulme kibernetike ose ndërhyrje politike.
Megjithatë, ai mbeti optimist për të ardhmen, duke shtuar: “Gjëja më e madhe do të jetë avancimi i shkencës mjekësore, avancimi i arsimit dhe marrja me çështje klimatike dhe që ajo të shfrytëzohet që të ecët edhe më shpejt”.