BIK-u merr abdest e lanë xhenaze me ujë të papaguar
Marrja e abdestit është nga farzet (kushtet) e namazit. E kështu veprojnë shumica e besimtarëve myslimanë që kryejnë ritet fetare nëpër xhamitë që janë në rajonin e Prishtinës. Por, uji me të cilin kryhen ritet fetare Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), nuk e ka paguar dhe ende ka borxh prej mijëra euro në Kompaninë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”.
Të gjitha xhamitë e rajonit të Prishtinës që janë nën menaxhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), i kanë borxh ujësjellësit prej mijëra euro.
Ndonëse sipas fesë borxhi si hua është i lejuar të merret për çështje të ndryshme, në ajete kuranore thuhet se ai nuk duhet të neglizhohet pa arsye për t’u kthyer tek marrësi.
E deri tani BIK-u nuk kemi parë të ketë dhënë ndonjë deklaratë publike se nuk po ka para të paguaj ujin e harxhuar nëpër xhamitë e saj.
Zyrtarë nga Kompania Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, tregojnë se Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka detyrim ndaj kësaj kompanie 7 mijë e 921 euro.
“Këshilli i Bashkësisë Islame ka detyrim ndaj KRU-së 7.920,00€. Po BIK-u është në dijeni për këtë detyrim, informatën e marrin çdo muaj pasi që ju dërgojmë faturën, dhe presim që do të shlyejnë detyrimin ndaj KRU-së”, ka thënë Arjeta Mjeku, zëdhënëse e KRU ‘Prishtina’.
Ndryshe borxhi total ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, përfshirë sektorin e amvisërisë, pra konsumatorin shtëpiak dhe bizneset e vogla e të mëdha, aktualisht është 40 milionë e 857 mijë euro./FaktePlus