Bie numri i rasteve me COVID19 në Itali
Në Itali janë raportuar 578 vdekje lidhur me koronavirusin përgjatë periudhës së fundit 24-orëshe, është bërë e ditur në konferencën e përditshme të Ministrisë së Shëndetësisë së vendit.
Shifra totale e vdekjeve që kanë ndërlidhshmëri me COVID-19 ka shkuar në 21,645, duke e bërë Italinë vendin e dytë me numrin më të lartë të rasteve me fatalitet nga sëmundja.
MSH-ja italiane tutje ka bërë të ditur në konferencë se në 24 orët e fundit janë raportuar 2,667 raste të diagnostikuara me SARS-COV2. Italia ka gjithsej 165,155 raste që prej kohës kur është shfaqur së pari virusi në vend.
Ndërkaq, numri i të shëruarve, sipas raportit të autoriteteve italiane, ka arritur në 3,079 përbrenda natës.
Qendrat shëndetësore në Itali kanë arritur të realizojnë gjithsej 43,715 teste përbrenda ditës.