Bideni e Putini shkëmbejnë paralajmërime gjatë telefonatës 50-minutëshe
Presidentët e dy shteteve më të fuqishme në botë, Joe Biden i Shteteve të Bashkuara e Vladimir Putin i Rusisë, kanë shkëmbyer paralajmërime rreth krizës në Ukrainë gjatë një telefonate 50-minutëshe, që ndikoi pak në uljen e tensioneve politike, sipas qeverive të këtyre vendeve.
Biseda e së enjtes, e kërkuar nga presidenti rus, ishte e dyta këtë muaj mes udhëheqësve, por Shtëpia e Bardhë tha se ajo është përbërë nga ritheksimi i pozicioneve nga presidentët, përfshirë paralajmërimin e Bidenit për pasoja serioze, nëse Putini vendos që ta pushtojë Ukrainën.
“Presidenti Biden i bëri thirrje Rusisë që t’i ulë tensionet me Ukrainën. Ai bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e partnerët e tyre do të përgjigjen vendosmërisht, nëse Rusia e pushton Ukrainën”, tha Jen Psaki, sekretare për medie e Shtëpisë së Bardhë.
Në anën tjetër, Kremlini këmbënguli se Putini e ka shfrytëzuar këtë telefonatë që ta lëshojë kërcënimin e vet, duke i thënë Bidenit se sanksionet e reja do të mund t’i këpusnin tërësisht lidhjet mes Rusisë e Shteteve të Bashkuara dhe do të përbënin gabim kolosal, shkruan The Guardian.
Biseda telefonike mes dy presidentëve u zhvillua pak ditë para një takimi ShBA – Rusi për sigurinë në Gjenevë të Zvicrës më 9 e 19 janar, të pasuar nga një takim mes NATO-s e Rusisë më 12 janar dhe nga një konferencë më e gjerë mes Uashingtonit, Moskës e shteteve tjera evropiane më 13 janar.