Bideni e kërcënon Putinin me sanksione personale, nëse Rusia e pushton Ukrainën
Presidenti amerikan, Joe Biden, do t’i shqyrtojë sanksionet personale kundër homologut të tij rus, Vladimir Putin, nëse Rusia e pushton Ukrainën, në kohën kur udhëheqësit perëndimorë po i shtojnë përgatitjet ushtarake dhe po bëjnë plane për ta mbrojtur Evropën nga ndalja e gazit rus.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se, nëse Rusia sulmon, ky do të ishte “pushtimi më i madh në botë që nga Lufta e Dytë Botërore” dhe se një gjë e tillë “do ta ndryshonte botën”. Presidenti shtoi se do ta shqyrtojë shtimin e sanksioneve të drejtpërdrejta ndaj Putinit.
“Po, do ta bëja atë”, tha Bideni, kur u pyet nga gazetarët në Uashington rreth vendosjes së sanksioneve ndaj Putinit, kundërshtarët e të cilit e kanë akuzuar për një kohë të gjatë se mban pasuri gjigante në mënyrë sekrete, shkruan The Guardian.
Kërcënimi për sanksione ndaj Putinit erdhi në kohën kur Shtetet e Bashkuara dhanë ndihmë për devijimin e furnizimeve me gaz nga pjesë të ndryshme të botës drejt Evropës në rast se rrjedhja e gazit nga Rusia ndërpritet, në përpjekje për t’ia topitur Putinit armën më të fuqishme ekonomike.
Zyrtarët amerikanë thanë të martën se kanë biseduar me furnizuesit botërorë dhe besojnë se Evropa nuk do të pësonte nga humbja e papritur e energjisë për ngrohje në mes të dimrit.
“Për t’u siguruar se Evropa është e aftë t’ia dalë mbanë në dimër dhe pranverë, presim që të jemi të përgatitur për të siguruar furnizime alternative, që e mbulojnë shumicën e konsiderueshme të mungesës së mundshme”, tha një zyrtar i lartë.