Bideni do ta ndërrojë ekipin e shërbimit sekret, nuk u beson agjentëve të Trumpit
Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, pritet të marrë ekip të ri të sigurimit dhe mbrojtjes nga Shërbimi Sekret, duke i zëvendësuar disa agjentë që mund të jenë politikisht aleatë të presidentit në largim, Donald Trump.
Gazeta e famshme amerikane, “The Washington Post”, raportoi të enjten se stafi i sigurimit të kreut të Shtëpisë së Bardhë do t’u nënshtrohet disa ndryshimeve me rastin e largimit të administratës së vjetër dhe ardhjes në pushtet të administratës së re.
Disa agjentë të lartë të Shërbimit Sekret pritet të kthehen në mbrojtje të presidentit të zgjedhur. Bideni i njeh mirë ata, sepse janë kujdesuar për sigurinë e tij dhe të familjes së tij gjatë kohës kur ka shërbyer si nënpresident i Shteteve të bashkuara.
Ricaktimi i njerëzve në pozita është i zakonshëm në periudhën e ndryshimit të pushtetit në Shtëpinë e Bardhë. Kjo bëhet me qëllim të ndërtimit të besimit mes presidentit dhe stafit të sigurisë, shkruan The Guardian.
Ndonëse ndryshimi i stafit është bërë edhe në të kaluarën, besohet se disa incidente kanë kontribuar që aleatët e Bidenit të shqetësohen për faktin që disa agjentë janë njerëz besnikë të Trumpit.
Raportohet se disa agjentë i kanë nxitur kolegët e tyre që të mos vendosin maska gjatë udhëtimeve, pavarësisht udhëzimeve zyrtare të qeverisë. Vetë Trumpi shpesh i ka shpërfilluar rregullat për përdorimin e maskës dhe deri vonë nuk është parë duke e vendosur një të tillë.