Biden bisedon me Erdoganin, kontakti i parë që nga janari
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Ky është komunikimi i parë i drejtpërdrejtë midis udhëheqësve të dy vendeve aleate të NATO’s, raportet e të cilave janë dobësuar shumë.
Telefonata e shumëpritur ndodhi më shumë se tre muaj pas inaugurimit të Bidenit në pozitën e presidentit të SHBA’së, një sinjal se ai nuk do të mbajë kursin e njëjtë ndaj udhëheqësit turk, sikurse paraardhësi i tij, Donald Trump.
Më 24 prill, në Ditën Përkujtimore të masakrës ndaj armenëve, Biden pritet të deklarojë se vrasja dhe dëbimi i armenëve në Perandorinë Osmane më 1915 përbëjnë gjenocid.
Është pothuajse e sigurt se ky veprim do ta zemërojë Ankaranë dhe do të dëmtojë më shumë raportet mes dy vendeve.
Agjencia Reuters, duke u thirrur në burime të saj, raporton se Biden ia ka bërë me dije Erdoganit se e ka në plan të njohë masakrën ndaj armenëve si gjenocid.
Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë nuk u përmend kjo çështje.
“Presidenti Biden bisedoi me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe tregoi interesin e tij për raporte konstruktive bashkëpunimi dhe menaxhim efektiv të mosmarrëveshjeve”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.
Njoftimi tha se të dy udhëheqësit ranë dakord të takohen në kuadër të samitit të NATO-s në muajin qershor.
Ndërkaq në një njoftim të presidencës turke thuhet se Erdogan dhe Biden ranë dakord për të përmirësuar bashkëpunimin.
Administrata amerikane nuk ka konfirmuar planet e njohjes së gjenocidit armen, por Biden ka premtuar gjatë fushatës së tij presidenciale se ai do të bënte këtë.
Turqia këmbëngul që vrasjet dhe dëbimet e armenëve etnikë në atë që ishte atëherë Perandoria Osmane nuk ishin gjenocid, por një rezultat i konfliktit më të gjerë në Luftën e Parë Botërore.
Pavarësisht presionit turk disa shtete të mëdha, si Franca dhe Gjermania, e kanë njohur si gjenocid, por shumë shtete janë përmbajtur.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, paralajmëroi në një intervistë se planet e Bidenit do të acarojnë marrëdhëniet dypalëshe.