Besarta i jep një premtim Hamëz Jasharit
Vajza e heroit të kombit Hamëz Jashari, Besarta ka shkruar sot fjalë prekëse me rastin e datës së ditëlindjes së babait të saj, me ç’rast edhe ka dhënë premtim se do të vazhdojë pa lëkundje rrugën për të drejtën e popullit.
Besarta bashkë më fëmijët e saj të vegjël ka shkuar tek varrezat e dëshmorëve në Prekaz dhe aty i ka dhënë premtimin babait se nuk do të lëkundet nga qëndrimi për të drejtën e popullit.
“Jam e vetëdijshme që përgjigjen duhet kërkuar në kujtimet tona, por një gjë jam e sigurt se tërë jetën ke besuar në popullin tonë, në vlerat tona dhe në të drejtën tonë. Nga ky qëndrim kurrë nuk lëkundemi, këtë ta premtoj babush. Përgjigjen do ta gjej, edhe Dylit do t’i tregoj!!!”, ka shkruar Besarta.
Ky është postimi i plotë e pa ndërhyrje i Besartës:
Si çdo herë, edhe këtë vit po festojmë ditëlindjen tënde babush.
Të tilla raste, po i shfrytëzoj të tregoj për ty babush dhe virtytet tua. Mbahesh mend, si njeri që bashkove njerëz për qëllime të përbashkëta – që sot na bëjnë krenarë.
Dyli i vogël, që me mburrje mban nofkën tënde qetësisht po më dëgjon, teksa unë po i tregoj për ty. E mua po më mundon një pyetje “çfarë do të bëje për Kosovën, në rrethana aktuale ku po rritet Dyli?”.
Jam e vetëdijshme që përgjigjen duhet kërkuar në kujtimet tona, por një gjë jam e sigurt se tërë jetën ke besuar në popullin tonë, në vlerat tona dhe në të drejtën tonë. Nga ky qëndrim kurrë nuk lëkundemi, këtë ta premtoj babush.
Përgjigjen do ta gjej, edhe Dylit do t’i tregoj!!!
Urime ditëlindja babë.
Vajza jote krenare,
Besarta