Bërnabiq i thotë Kurtit: Ndryshe është në opozitë e ndryshe kur ke punë me Amerikën
Asnjëherë më e qartë s’ka qenë porosia e SHBA-së siç është tani se është e domosdoshme që Prishtina të heqë takën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës, ka deklaruar kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, duke shtuar se atë porosi, përveç të dërguarit speciale të presidentit Trump, Richard Grenellit, e kanë dërguar edhe komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, sikurse edhe Josep Borrell, shefi i ri i diplomacisë së BE-së.
Në televizionin serb “Pink”, Bërnabiqi tha se Albin Kurti, derisa nuk është bërë kryeministër i Kosovës, ka folur ndryshe dhe ka vlerësuar , por tani ai ka përgjegjësi tjera.
“Tjetër përgjegjësi keni kur jeni në opozitë, e tjetër kur jeni direkt përgjegjës për raportet e Prishtinës dhe SHBA-së”, tha Bërnabiqi, duke shtuar se shpreson që taksa do të hiqet, transmeton Koha.net.
“Kjo është e shkëlqyeshme për serbët në Kosovë e Metohi, e mirë për tërë rajonin sepse vendimi për t’i dhënë kombësi biskotave dhe qumështit do të tërhiqet. Ky është një sinjal i mirë për të ardhmen”, tha kryeministrja serbe.
Sipas saj, heqja e taksës është e shkëlqyeshme edhe për të gjithë të tjerët në Kosovë, e edhe për shqiptarët të cilët, siç tha ajo, “e paguan shtrenjtë atë vendim politik”, ndërsa shtoi se atë çmim po e paguajnë edhe sot dhe “do të vazhdojnë ta paguajnë derisa nuk tërhiqen këto masa”.
Duke folur për reciprocitetin që e ka përmendur kryeministri Kurti në mënyrë që të hiqet taksa, Bërnabiqi thotë se nuk është e sigurt se për çfarë reciprociteti flet.
“Politika e Qeverisë së Serbisë është shumë e qartë, nuk ka zona gri, ne kërkojmë respektimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, kërkojmë respektim të marrëveshjes CEFTA, s’ka këtu paqartësi”, shtoi Bërnabiqi.
Kryeministri Kurti ka deklaruar se Kosova do ta heqë taksën ndaj mallrave serbe, por do të imponojë reciprocitet të plotë ndaj shtetit serb.