Berlinale: Kosova pjesë e festivalit për here të parë me filmin “Në Mes” të Samir Karahoda
Prej 400 filmave që marrin pjesë në garat e ndryshme të një ndër tre festivaleve më të rëndësishëm të filmit në botë, 191 filma janë bërë nga regjisore gra. Kosova e cila merr pjesë për herë të parë zyrtarisht në Berlinale, me një film me metrazh të shkurtër në “Berlinale Shorts” përfaqësohet me Samir Karahodan.
Filmi i tij 14-minutësh “Në mes” është realizuar nga një ekip thuajse tërësisht mashkullor (vetëm një femër) dhe trajton një temë krejtësisht mashkullore, por tepër karakteristike për Kosovën: Solidarizimin ndër vëllazëror për ndërtimin e shtëpive të njëjta me ndihmën e të mërguarve.
Premiera botërore e tij do të jetë më 12 shkurt në Berlin, por më 8 shkurt do të shfaqet për media dhe publikun.
Por Kosova e ka dërguar edhe një përfaqësuese të gjinisë femërore në Berlinale: Regjisoren e re More Raça, e cila ka ardhur aty në kuadër të programit Berlinale Talents, i cili u krijon mundësinë 250 kineastëve, regjisorëve, aktorëve të rinj e të talentuar nga e gjithë bota që të prezantojnë veten e tyre dhe të hyjnë në kontakt me kolegë të rinj e të vjetër të fushës së tyre.
Pas 18 vjetësh në krye të festivalit, figura e lashtë e Berlinales, 70-vjeçari Dieter Kosslick, alias Mr. Berlinale, i cili me kapelën dhe shallin e tij është bërë personifikim i festivalit të famshëm, do ta lëshojë postin e tij të plotfuqishëm. Vitin e ardhshëm, në edicionin e saj të 70-të Berlinalja do të drejtohet nga italiani Carlo Chatrian.