Beqiri: Gjykata nuk ia kishte hequr Etem Arifit të drejtën për të kandiduar për deputet
Deputeti i Kuvendit të Kosovës Ethem Arifi, është dorëzuar sot tek organet rendit pasi disa ditë ishte në arrati.
Ai është dënuar në prill të vitit 2018 nga Gjykata me 15 muaj burgim për mashtrim me subvencione
Arifi kishte votuar për ta formuar Qeverinë Hoti, më 3 qershor.
Kjo po kontestohet nga Lëvizja Vetëvendosje, që këtë qeveri po e konsideron ilegale.
Për këtë sot në Info Magazine ka folur juristi Mentor Beqiri, i cili shpjegoi rastin se pse Ethem Arifit nuk iu mor mandati.
Ai tha se edhe pse Arifi u dënua me burgim efektiv nga Gjykata e Apelit, atij nuk iu është hequr e drejta e zgjedhjes nga populli.
“Kur një person denohet me burgim efektiv një vit ose më shumë atij automatikisht i merret mandati i deputetit. Por, rasti i Arifit është paksa më i komplikuar, pasi Etem Arifi, është dënuar në prill të vitit 2018 nga Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda. Sigurisht ai ka shfrytëzuar rrugët juridike për ta apeluar. Në fakt ai në prill të vitit 2018 është dënuar me kusht dhe jo me burgim efektiv.
“Por, Gjykata e Apelit në vitin 2019-të, atij i ka shqiptuar dënimin me burgim prej 15 muajsh, që sipas Kushtetutës atij i merret mandati i deputetit. Kjo ka ndodhur kur Etem Arifi ishte deputet i legjislatures së kaluar, jo asaj të tanishme. Kjo hapësirë që e ka shfrytëzuar ky është se Gjykata e Apelit i ka shqiptuar dënimin me burgim efektiv prej 15 muaj, por nuk i ka shqiptuar dënimin plotësues- heqja e të drejtës për tu zgjedhur nga populli”.
“Deputeti Arifi pas shpërndarjes së legjislaturës ka kandiduar sërish për deputet për tu zgjedhur nga populli dhe është zgjedhur”.
Beqiri shtoi se janë dy mënyra që Etem Arifit të i merret mandatit.
E para që ai të japë dorëheqje nga pozita dhe e dyta të pritet data 3 dhjetor 2020, kur bëhen gjashtë muaj prej se ai nuk është prezent në seanca të Kuvendit.
“E vetmja mënyrë për ta dorëzuar mandatin është që ai të japë dorëheqje ose të pritet deri më 3 dhjetor sepse atëherë mbushen 6 muaj prej kur nuk është paraqitur në seancë të Kuvendit. Nëse nuk jep dorëheqje ai merr edhe pagën deri më datën 3 dhjetor”.
“Jo funksionaliteti dhe legaliteti kanë dallime të mëdha, pasi një votë mund ta bëjë edhe qeveri jofunksionale pasi ajo ka qenë vota e 61-të, por rrugët legale kjo qeveri është legale. Kur z.Arifi ka votuar për Qeverinë Hoti, ka qenë legalisht deputet i Kuvendit të Kosovës. Sepse ai është dënuar në maj të vitit 2019, në legjislaturën e kaluar dhe Gjykata nuk ia ka marrë të drejtën atij që të kandidojë sërish”.
Juristi theksoi se edhe pasi që atij i merret mandati ai duhet të zëvendësohen me një deputet tjetër.