Beqaj: Gjasat janë reale që të ngritet aktakuza jo vetëm ndaj Thaçit e Veselit
Politologu, Belul Beqaj ka thënë se individët nuk janë mbi UÇK-në, mbi kombin apo shtetin, derisa ka theksuar se nuk mund të fajësohet tërësia për veprimet e disa individëve.
“Pas raportit të Dick Martyt mendoj se paralajmërimi i ngritjes së aktakuzës është mortaja më e rëndë që ka rënë mbi shtetin e Kosovës, mbi kombin e Kosovës, UÇK-në, shkaktar të së cilës janë liderët dhe eprorët ushtarak, përkatësisht lidershipi politik”, ka thënë Beqaj.
Ai ka përmendur tre elemente që janë të rëndësishme në përkufizimin e lidershipit.
“1. Ekzistenca e integritetit politik dhe moral, sikur të ishte lideri aktual dhe lidershipi aktual i Kosovës me vlerën e përkufizimit moral dhe etik aktin e parë që do të bënte do të ishte dorëheqja, këtë nuk e kanë bërë. 2. Përgjegjësia, sikur lidershipi aktual të kishte përgjegjësi të duhur nuk do të kishte lejuar që të ndodhë diçka që i vihet barrë edhe UÇK-së, kombit dhe shtetit të Kosovës. Dhe së treti – Elementi i patjetërsueshëm është me ekzistencën e vizionit të lidershipit. Sikur ky lidership të kishte vizion ne nuk do ta kishim Gjykatën Speciale. Dhe sikur të besonim se do të hiqeshin retë e zeza. Si është e mundur që këta që kanë besuar se do të hiqet retë e zeza në kohën kur kanë bërë trysni për formimin e Speciales, ndërkaq sot kur janë vet objekt potencial të shqyrtimit të aktakuzës mendojnë të kundërtën”, ka thënë Beqaj në KTV.
Sipas tij kjo ka të bëjë me faktin se ne kemi një lidership që s’ka integritet të personalitetit etik, moral dhe politik, nuk jep përgjegjësi për veprimet të cilat i kanë ndërmarrë dhe ka mungesë substanciale të vizionit.
“Dhe me këto tri elemente dyshoj se do të kemi mundësi që të ndryshojmë kahjen e procesit, i cili sipas mendimit tim, do të dëshiroja të dështoj këtë herë, por besoj se gjasat janë reale që të ngritët aktakuza jo vetëm për këta të dy, por edhe disa të tjerë të cilët kanë kontribuuar që të vijmë në këtë gjendje”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se fakti që përmenden emrat e veçantë, mendon se adresa është e orientuar drejt.
“Dhe fakti se përmenden emrat e veçantë nuk mund të identifikohen me UÇK-në, ata janë pjesë e UÇK-së, por asnjë individë s’mund të jetë mbi UÇK-në, mbi kombin e shtetin. Nuk mund të fajësohet tërësia për shkak të veprimit të disa individëve, ky do të ishte gabim logjik. Damkosja që përmendi Donika në adresë të shtetit të Kosovës e të UÇK-së, ka të bëjë se nuk kemi të bëjmë me ushtarë të thjeshtë, por kemi të bëjmë me ata të cilët e kanë udhëhequr rezistencën e armatosur. Për faktin se dikush dëshiron ta instrumentalizojë tërësinë, UÇK-në, për ta mbrojtur veten nuk u jep komoditetin askujt që të identifikojë rastin e tij me fatin e UÇK-së. Çështja i UÇK-së është çështje se s’mund të diskutohet”, ka thënë Beqaj.