“Beni Dona” e Policia e Kosovës në “luftë” për ushqimin milionësh
Policia e Kosovës e kompania “Beni Dona” që drejtohet nga Ragip Mustafa janë duke u shtyrë fort mes vete për një tender milionësh. Policia po rrezikon të mbetet pa ushqim e kompania e Mustafës s’po lëshon pe. Nga ky tender tash s’po heqin dorë as kompanitë “Hotel Galla” Sh.P.K dhe NTP “Global Parajsa” të cilën po ankohen vazhdimisht në “Gjykatën e tenderëve”, duke pretenduar se po u bëhet e padrejtë në tërë procesin.
“Lufta” për tender shpeshherë po shkakton vonesa të mëdha në kryerjen e shërbimeve nëpër institucionet e ndryshme.
Një gjë e tillë po ndodhë edhe me tenderin për furnizim me ushqim në Policinë e Kosovës.
Policët e Kosovës po rrezikohen të mbetën pa ushqim. Kjo pasi që nuk është punë që të zgjidhet lëmshi për tenderin për furnizim me ushqim për këtë institucion.
Fituese e tenderit ka qenë si gjithherë kompania “zotëruese” “Beni Dona”.
Por diçka nuk kishte shkuar si duhet.
E “preferua” prishi punët me Policinë, e që kjo e fundit pasi ia kishte dhënë tenderi, sërish ia kishte anuluar.
Policia e Kosovës i kishte anuluar dhënien e tenderi me arsyet se “komisioni për vlerësim pas analizimit të dosjes së tenderit në hollësi ka vërejtur se specifikat teknike të hartuara nga ana e AK ka mangësi të shumta ku këto mangësi pamundësojnë realizimin e një kontrate të mirëfilltë për AK”.
Këtu dolën kthetrat. “zotëruesja” nuk qëndroi duar kryq.
“Beni Dona”, për këtë anulim iu drejtua “Gjykatës së Tenderëve” për çka gjykata i kishte dhënë të drejtë në ankesat se Policia kishte bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik në anulimin e këtij tenderi.
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ia i kishte kërkuar Policisë që ta kthej lëndën në rivlerësim dhe ta bëjë sipas ligjit, por Policia nuk e përfilli.
Ajo sërish ia anuloi tenderin, e që bëri që Gjykata të jetë më e ashpër. Ajo e urdhëroi Policinë, por prapë as kjo nuk bëri punë.
Tani sërish, më 27 janar, Policia e Kosovës pasi i kishte dhënë tenderin “Beni Dona Plast” Sh.P.K.
“Policia e Kosovës shpërblen me kontratë sipas urdhëresës së OSHP-së me nr. 878/19 të datës 13/01/2019 OE “Beni Dona Plast” Sh.P.K, Prishtinë me vlerë totale të ofertës 944 mijë e 150 euro e 80 cent”, kështu shkruhet në njoftimin mbi vendimin për këtë aktivitet të prokurimit.
Në vendim kishte njoftuar edhe kompanitë tjera të cilat kishin ofertuar për këtë tender, e që u shpallën si të pasuksesshme.
Kjo nxiti reagime nga kompania “Hotel Galla” Sh.P.K dhe NTP “Global Parajsa”. E për të cilën ankesë, Policia e Kosovës pas shtatë ditësh u detyrua që ta pezulloj vendimin për dhënien e kontratës për kompaninë e cila tash e sa vjet e “zotëron” këtë tender.
“Policia e Kosovës, duke vendosur sipas ankesës OE “Hotel Galla” Sh.P.K dhe OE NTP “Global Parajsa&Ciano Trading&Services të datës 03/02/2020, lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘furnizim me ushqim për PK-në-Ri-tender-Rivleriësim, mori vendim që të pezullohet deri në shqyrtimin e ankesës për këtë aktivitet të prokurimit”, thuhet në vendimin e pezullimit për këtë aktivitet.
E kohë më parë Agjencia e Lajmeve FaktePlus kishte shkruar për këtë tender, për cka kishte kontaktuar edhe pronarin e “Beni Dona” por i njëjti iu kishte ikur përgjigjeve duke thënë “do të thërras më vonë, jam jashtë vendit”, “sapo të lirohem do të marrë në telefon”, janë fjalët e pakëta që i tha pronari i kompanisë posa u pyet për këtë tender.
Ndërkaq, pronari i “Galla” Sh.P.K kishte ngritur hipoteza se medoemos “të mëdhenjtë” po duan që “Beni Dona Plast” ta marrë këtë tender.
Pronari i “Galla” Sh.P.K, Zekë Rexhepi kishte thënë për FaktePlus se nuk do të hesht siç tha ai karshi këtij manipulimi.
“Unë nuk do të dorëzohem. Do t’i shkojmë deri në fund këtij tenderi. Me çdo gjë jam në rregull. Garantoj edhe cilësi në shërbime dhe ushqim, kjo pasi kompania dhe restorant im është i njohur ndërkombëtarisht”, tha ai.
Rexhepi shpreh dyshime se dikush qëllimisht po tenton që këtë tender t’ia jap përsëri “Beni Donës”, e cila tash e 15 vjet “shpërblehet” më këtë tender milionësh.
“Unë i kam dyshimet e mija se ‘Beni Dona Plast’ po favorizohet. Kam dyshime se edhe specifikat e tenderit i janë përgatitur kësaj kompanie”.
Zeka ishte shtuar se tash është në pritje të vendimit që do ta marr OSHP pasi procesi është në rivlerësim, por bën me dije se nëse “Beni Dona” shpallet fituese, përsëri do të ankohet.
FaktePlus pati dërguar edhe pyetje në adresë të Policisë së Kosovës për këtë tender, por Policia nuk ishte përgjigjur.
Tenderi milionësh nëpër gjykata, policët e Kosovës rrezikojnë të mbesin pa ushqim