Bekim Jashari jep lajm të madh për disa nga veteranët e Skenderajt
Kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari ka ndarë në rrjetin social faceook një lajm të rëndësishëm për qytetarët e Skenderajt. Ai ka bërë të ditur se nga sot 12 familje janë bërë me shtëpi, në mesin e të cilave familje të veteranëve e invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“12 palë çelësa u dhuruan sot për 12 familje në mesin e të cilave veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare, mësimdhënës, të moshuar e të vegjël, por mbi të gjitha, njerëz që meritojnë të jetojnë më dinjitetshëm, që sot nisin jetën e re, në shtëpitë e reja, për të lënë prapa shpine kujtimet e atyre objekteve ku deri dje kishin jetuar në kushte tmerrësisht të këqija”, ka shkruar Jashari.
Ai tutje ka përmendur që kjo është arritur fal bashkëpunimit të komunës që ai drejton me humanisti Halil Kastrati.
“Falë bashkëpunimit të mrekullueshëm me humanistin Halil Kastrati dhe Shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, me të cilën Komuna e Skenderajt ka nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit (obligimi i Komunës 5,000 euro për çdo shtëpi) për ndërtimin e këtyre shtëpive, po u kthehet fëmijëve dhe familjeve të tyre buzëqeshja e shoqëruar me lotët e gëzimit”, thekson tutje ai.
Jashari më pas ka listuar emrat e të gjithë përfitueseve, dhe ka shtuar se ende janë në gjysmën e rrugëtimit, pasi që deri në përmbyllje të projektit janë edhe 14shtëpi të tjera për tu ndërtuar.
“Familjet përfituese të 12 shtëpive të reja: Astrit Krasniqi e Hajriz Hyseni (Vajnik), Jashar Miftaraj e Muhamet Miftaraj (Runik), Halim Smakaj (Klladernicë), Selman Azemi (Açarevë), Tafil Avdullahu (Çitak), Shefqet Sahiti e Behxhet Shala (Kopiliq i Poshtëm), Skender Kajtazi (Vitak), Rrustem Gjeloshi (Çubrel) dhe Hatixhe Hoti (Turiqec).
Megjithëkëtë, jemi vetëm në gjysmën e rrugëtimit, dhe deri në përmbyllje të këtij projekti kemi edhe 14 shtëpi të tjera për t’i ndërtuar. Në emër të familjeve, faleminderit secilit kontributdhënës, që po na gëzoni!”, ka përfunduar Jashari./FaktePlus/