Bekim Haxhiu kritikon Federatën e Futbollit
Ish-nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Bekim Haxhiu, e ka kritikuar shtëpinë e futbollit rreth organizimit të ndeshjes kualifikuese për “Euro 2021” që u zhvillua të martën në Prishtinë ndërmjet Kosovës U-21 dhe Turqisë U-21.
“Dardanët” e rinj në saje të një paraqitjeje të shkëlqyeshme e fituan me rezultat 3:1 ndeshjen, pas së cilës turqit janë ankuar në pritjen nga ana e kosovarëve, duke pretenduar edhe fërkime fizike.
Me këtë rast ka reaguar ish nënkryetari i FFK-së, tani deputet në Kuvendin e Kosovës, i cili përmes profilit të tij në “Facebook”, e ka lëshuar kritikën e tij.
“Kjo nuk guxon të ndodh, nëse ne nuk kemi përvojë në organizim, mikpritja çdo herë ka qenë traditë e jona. Ata që vinë për të luajtur tek ne, duhet të kthehen me përshtypjet me të mira për Kosovën. Kujdes! Nuk është kjo liga e Kosovës, këto janë lojë zyrtare të UEFA-s, dënimet mund te jenë të larta për Federatën e Futbollit të Kosovës”, shkroi ‘Kamishi’.