Bekë Berisha për dukjen ministrit Vitia: Po e lufton koronavirusin me do setra e syza
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka kritikuar sot qeverinë në detyrë për mënyrën se si po e lufton koronavirusin.
Në T7, Berisha ka thënë se lavdet për ta, se po menaxhojnë situatën, tashmë po demantohen.
“Sa ishte për të shitur mend, e merrnin lavdin për vete, kur situata nisi të tensionohet tash, siç njihen, po kanë afinitetet t’ia lënë fajin kryetarëve të komunave”, ka thënë Berisha.
Gjatë bisedës Berisha ka ironizuar edhe me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, duke thënë se ai nuk po bën asgjë serioze për të luftuar Covid-19.
“Ministri i Shëndetësisë, pos konferencave me do setra me nishane dhe me do syze, unë nuk kam parë që e ka trajtuar dikë. Po del në konferenca, po thotë lani duart, këtë po na e thonë edhe ekspertët”, ka thënë Berisha.
Gjatë kësaj bisede Berisha ka folur edhe për veprimin e zëvendësministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për t’iu dhënë leje deputetëve që të lëvizin.
“Është një gabim që një zëvendësministër i shkarkuar mendon se ne duhet të marrim leje, për të na ndalur. Ashtu na ka propozuar, por ne nuk i respektojmë”, ka thënë Berisha, duke bërë me dije se as policia nuk mund ta dënojnë nëse nuk e ka këtë leje.
“Nuk kam pasur përballje me policinë, por policia nuk mund të zbatojë rregulla të pazbatueshme”, ka thënë Berisha.