Bejta propozon ndihmë financiare për bizneset nga ana e qeverisë
Asamblistja e pavarur në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, Fitnete Bejta, ka propozuar ndihmë financiare për bizneset nga ana e qeverisë.
Duke ju referuar gjendjes faktike nëpër të cilën po kalojnë ndërmarrjet private, ajo ka thëne se është e domosdoshme një pako ekonomike që do të parashihte ndihmë finaciare për bizneset e vogla dhe të mesme.
Propozimi i plote i Bejtës, pa ndërhyrje:
Pako ekonomike e masave duhet të propozohet sa më shpejt nga qeveria. Kjo pako domosdoshmërishtë duhet të parasheh sigurimin e pagave minimale për punonjësit në të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të prekura nga kriza për muajin mars dhe prill.
Bizneset që do të aplikojnë për ndihmë nga shteti do të duhet të kenë të njëjtin numër të të punësuarve si para krizës.
Duhet të sigurohen paga mujore edhe për qytetarët që kanë humbur vendin e punës për shkak të krizës në lartësi prej 50 për qind nga paga mesatare e punonjësve. Për të përballuar shteti këtë kosto të gjithë zyrtarët dhe drejtuesit duhet të marrin pagë minimale në këto dy muaj.
Të gjithë zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar, udhëheqësit në nivel qendror dhe lokal, deputetët, kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat, kryetarët e komunave, drejtorët, gjykatësit dhe prokurorët duhet të marrin pagë minimale për muajin prill dhe maj.
Dhe diferenca e kursyer nga këto paga duhet të shërbejë si fond për pagesat e pagave në sektorin privat dhe rastet sociale duke përfshirë këtu njerëzit që janë punëkërkues. Sikurse kjo formë e subvencionimit të pagave dhe asistencës sociale është duke u prezentuar në shumë shtete të prekura më Covid-19.
Kjo gjendje kërkon solidaritet dhe atë duhet ta bëjmë.