Bejta: Projekti i cili po tentohet të realizohet pranë Badovcit s’ka leje ndërtimi
Pas ngufatjes me ndërtime, biznesmenët ia kanë mësyer edhe zonave të gjelbërta të Prishtinës.
Sot është raportuar se kompania e ndërtimit, e cila ka disa rrokaqiej në Prishtinë “KAVA Group” dhe kompania “4M Group” kanë planifikuar që të ndërtojnë një lagje të vogël me shtëpi buzë Liqenit të Badocit.
Ndërsa, toka është në emrin e Rahman Haradinit, i cili është pronar i kompanisë “Lakeside Gardens”.
E, lidhur me këtë ka reaguar ish-kandidatja për deputete nga radhët e AAK-së, e njëherit asamblesite e po këtij subjekti politik në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Fiknete Bejta.
Ajo përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, ka shkruar se projekti ndërtimor i quajtur si “ Lakeside Gardens” i cili po tentohet të realizohet pranë Liqenit të Badovcit nuk ka leje ndërtimi nga Komuna e Prishtinës dhe si i tillë është në kundërshtim me ligjin, përcjell FaktePlus.
Sipas saj, është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ajo që ka ka lëshuar vendim që mund të ndërtohet në këtë pjesë dhe që e kushtëzon Komunën e Prishtinës të lëshojë Kushtet Ndërtimore.
Postimi i saj i plotë:
Projekti ndërtimor i quajtur si “ Lakeside Gardens” i cili po tentohet të realizohet pranë Liqenit të Badovcit nuk ka leje ndërtimi nga Komuna e Prishtinës dhe si i tillë është në kundërshtim me ligjin. Nuk ka leje ndërtimi dhe as nuk ka aplikuar për një të tillë.
Problemi kryesor sipas meje këtu është se pikrishtë institucioni që duhet ta mbrojë ambientin nga degradimi ka nxitur degradim e shkelje ligji me vendimet e tij.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka lëshuar vendim që mund të ndërtohet në këtë pjesë dhe që e kushtëzon Komunën e Prishtinës të lëshojë Kushtet Ndërtimore.
Ky vendim i kësaj ministrie duhet të trajtohet me seriozitet nga Krimet Ekonomike sepse këtu si duket dikush nuk e ka prioritet shëndetin e qytetarëve dhe mbi të gjitha as zbatimin e ligjit.
#përBadovcin🍀🌿🌲🌊
#kundërdegradimit/FaktePlus