‘Becoming’ shkon drejt një rekordi historik
Autobiografia e ish-zonjës së parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michelle Obama, e titulluar “Becoming” është kthyer në një sukses të vërtetë. Aktualisht ajo është një nga autobiografitë më të sukseshme në historinë e botimeve, duke shitur deri tani më shumë se 10 milion kopje. Për këtë ka njoftuar “Bertelsmann”, shoqëria e cila drejton shtëpinë botuese Penguin Random House.
“Besojmë që autobiografia mund të bëhet një nga më të suksesshmet në histori”, pranon Thomas Rabe, administrator i deleguar i “Bertelsmann”. Parashikimi vjen me publikimin e rezultateve vjetore të Bertelsmann, e cila e mbylli 2018 me të ardhura deri në 17.7 miliard euro, niveli më i lartë nga 2007 pikërisht falë librit “Becoming”. Në librin e ri Michele Obama romantizon Amerikën e vjetër duke analizuar dhe duke kritikuar Amerikën e re. Ajo flet për jetën e saj si Michelle Robinson dhe për periudhën që ka kaluar në Çikago para se të bëhej Michelle Obama që e njohim ne. Ajo shkruan me modesti dhe afirmitet për ngjarjet në të cilat ka qenë dëshmitare gjatë administrimit Obama.
Historia e saj është histori që i prek dhe i motivon të gjitha gratë, të cilat duan të arrijnë të njëjtin sukses. Bukuria e këtij libri qëndron në himnizimin e rasteve të vogla, si hapja e dritares për marrë ajër të pastër, padurimi i saj për t’u përfshirë në politikë dhe të dashurit e saj para se të takohej me Barack Obaman.
Duke lexuar këtë libër lexuesi merr rolin e shikuesit të afërt dhe e ndjek në çdo hap teksa ajo përballet me barrierat kulturore e politike për t’u shndërruar në zonjën që ka arritur të bëhet model për të gjitha vajzat e reja.
Vlerësime të larta ky libër ka marrë edhe nga mediumet prestigjioze. “The New York Times” e cilëson librin si “margaritarë të lëmuar kujtimesh”, kurse “The Guardian” shkruan se ky libër është dinjitoz dhe reflekton ndershmëri. Kompania përgjegjëse për librin deklaroi se kishte shitur 725.000 kopje në 24 orët e para të shitjes dhe se me këtë rekord ky ishte bërë libri me shitjen më të madhe brenda ditës për vitin 2018.