BE-ja konsideron se Kosova ka pranuar draftstatutin për Asociacionin
Deklarata e kryeministrit Albin Kurti për ta pranuar draftstatutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nëse Serbia pranon ta firmosë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin për zbatimin e saj, është lexuar në Bruksel si pranim i dokumentit nga ana e Kosovës.
Nabila Massrali, zëdhënëse e BE-së, i ka thënë KOHËS se Asociacioni duhet të themelohet mbi këtë dokument. Sipas saj, propozimi evropian është bërë në përpjekje për të ecur përpara me procesin e normalizimit.
“Sipas marrëveshjeve përkatëse të dialogut të 2013-s dhe 2015-s, Statuti për themelimin e ASM-së (Asociacionit v.j.) duhet të hartohet dhe të diskutohet në dialog. Kjo do të thotë se çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së, dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e 2013-s dhe 2015-s. Në tetor 2023, në përpjekje për të çuar përpara procesin e normalizimit, BE-ja – e mbështetur nga shtetet anëtare dhe partnerët e saj si SHBA-ja – prezantoi një projektstatut evropian për formimin e Asociacionit bazuar në modelet dhe praktikat më të mira evropiane, gjithashtu si kornizë ligjore e Kosovës, të cilën të dyja palët e kanë pranuar në parim”, ka thënë Massrali.
Bashkimi Evropian edhe të enjten përsëriti thirrjen që Kosova pa vonesa të mëtejshme ta themelojë Asociacionin në përputhje me draftstatutin e BE-së, derisa tregoi edhe detyrimet e Serbisë.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me Draftstatutin e BE-së pa vonesa të mëtejshme. BE-ja dëshiron gjithashtu të rikujtojë se Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit është e vlefshme dhe ligjërisht e detyrueshme në tërësinë e saj si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Serbia pritet të përmbushë obligimet e saj që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit, paralelisht me Kosovën, që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit bazuar në Draftstatutin Evropian, në përputhje me planin e zbatimit të propozuar nga lehtësuesi i BE-së”, ka thënë zëdhënësja Massrali.
Edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se Kosova e ka detyrim ligjor themelimin e Asociacionit. Në një intervistë për KosovaPress, Orav ka theksuar se Asociacioni është një nga marrëveshjet e dialogut që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013 dhe si i tillë duhet të zbatohet pa vonesa.
“Gjatë këtyre viteve, kur Kosova dhe Serbia po negociojnë në këtë proces të dialogut, janë arritur disa marrëveshje dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një nga marrëveshjet. Mendoj se vetëm një marrëveshje është ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës me shumicë dy të tretat e votave. Dhe është një detyrim ligjor për ta bërë atë dhe për ta zbatuar atë, pra si në latinisht ‘Pacta sunt servanda’ (marrëveshjet duhet të respektohen), kështu që marrëveshjet duhet të respektohen dhe zbatohen”, ka thënë ai.
Reagimet e Bashkimit Evropian u bënë dy ditë pasi kryeministri Albin Kurti tha se nuk e ka ndërmend të formojë Asociacionin mbi draftin e propozuar nga ndërkombëtarët.
Të martën ai u shpreh se kryeministri nuk formon asociacione dhe se iniciativat e tilla duhet të vijnë nga komunat.
“Ju të gjithë e dini që tashmë e kemi një Asociacion të komunave të Kosovës. Nëse dikush e dëshiron edhe një asociacion tjetër, atëherë kjo duhet të vijë nga komunat. Nuk formon kryeministri asociacione të komunave, as nuk i themelon ato. Komunat asociohen me njëra-tjetrën. Është në kuptimin e nocionit asociacion, liria e asocimit, jo imponimi i asocimit”, ka thënë kryeministri Kurti.
Kërkesat e evropianëve për këtë çështje janë theksuar edhe në Raportin e Progresit për Kosovën, i dorëzuar të mërkurën.
Mes tjerash, në të është kërkuar që përveç Asociacionit, Kosova edhe Serbia duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut.
“Konstruktiviteti i palëve do të vlerësohet vetëm në bazë të performancës së tyre të zbatimit. Normalizimi i marrëdhënieve mbetet një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”, thuhet në raportin e KE-së për Kosovën.
Nga Komisioni Evropian është vlerësuar pjesëmarrja e Kosovës dhe Serbisë në dialog, por është kërkuar që të dyja palët të demonstrojnë “angazhim më serioz dhe konstruktiv për të çuar përpara procesin e normalizimit”.