Bashkimi Evropian: Do t’i ndihmojmë Kosovës kundër Covid 19 dhe pasojave në ekonomi
Bashkimi Evropian do ta mbështesë financiarisht edhe Republikën e Kosovës pas situatës së krijuar si rezultat i përhapjes së pandemisë COVID-19.
Një gjë të tillë e kanë thënë në një përgjigje Zyra e BE’së në Prishtinë.
“BE është duke punuar shumë për t’i prioritizuar fondet që janë aktualisht në dispozicion dhe ato që planifikohen për të mbështetur Kosovën dhe të gjithë partnerët në Ballkanin Pernëidmor në luftën kundër përhapjes së COVID-19 dhe në mënyrë të veçantë për pasojat e epidemisë në ekonomi”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE’së.
Tutje kanë thënë se janë duke bërë përpjekje që një gjë të tillë ta bëjnë sa më shpejtë të jetë e mundur dhe se po punojnë me të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare.
“Ne jemi duke provuar që ta bëjmë në gjë të tillë sa më shpejtë që të jetë e mundur, dhe po punojmë afër me të gjitha institucionet ndërkombëtare financiare”, përfundon përgjigja nga Zyra e BE’së.
Dje ndërkohë Komisioni Evropian kishte inicuar një fond për të ndihmuar shtetet anëtare dhe ato që janë në procesin e negociatave për anëtarësim.
Sipas asaj që kishte raportuar portali ‘Europa Western Balkans’, Kosova nuk ishte kualifikuar si shtet që do të përfshihej në marrjen e fondeve.
Vendet që kualifikohen për të drejtën e shfrytëzimit të këtij fondi janë shtet anëtare dhe ato që janë në procesin e negociatave. Për këto fonde mund të aplikohet, nëse dëmi i drejtpërdrejtë nga fatkeqësia vlerësohet të jetë mbi 3 miliardë euro, thuhej në EWB.
Në ndihmë Kosovës pas koronavirusit i kanë ardhur edhe Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë me afro 15 milionë euro.