Bashkimi Europian heq ndalesën e udhëtimit për shtatë vende
Vendet e Bashkimit Europian që mbyllën kufijtë e tyre që në muajin mars për shkak të koronavirusit (COVID-19) ndryshuan listën e vendeve për të cilat ndalesa e udhëtimit nuk vlen më.
Këshilli Europian lëshoi versionin final të listës së vendeve për të cilat rekomandohet që të hiqet ndalesa e udhëtimit, e cila për herë të fundit u ndryshua më 22 tetor.
Sipas listës, kufijtë që kanë qenë të mbyllur në mars si pjesë e luftës kundër koronavirusit, gradualisht do të hapen për Australinë, Japoninë, Zelandën e Re, Ruandën, Singaporin, Korenë e Jugut dhe Tajlandën.
Kufijtë do të jenë gjithashtu të hapur për Kinën nëse vendet e BE-së u japin qytetarëve të tyre leje udhëtimi..
Ndalimi i udhëtimit ende vlen për vendet e tjera, të cilat nuk janë në listë. Megjithatë, lista do të rishikohet në përputhje me situatën në lidhje me COVID-19.
Në këtë rast, ndalimi i udhëtimit do të jetë po ashtu drejt Britanisë së Madhe, e cila nuk është në listë, sepse u largua nga BE-ja.
Në mars, BE-ja vendosi ndalesë për çdo udhëtim që nuk është i nevojshëm për 27 vendet anëtare si dhe Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën, të cilat janë pjesë e zonës Shengen, për të parandaluar përhapjen e virusit.
Siç shkruan ATSH, lista nuk është detyruese për shtetet anëtare.
Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 1.65 milionë personave në 191 vende dhe rajone që kur virusi u shfaq në Kinë në fund të vitit të kaluar.