Basha takohet me Kurtin, diskutojnë rreth mundësive që duhet t’u ofrohen të rinjve që të mos ikin
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka pasur një takim me liderin e opozitës në Shqipëri, Lulzim Bashën.
Ai tha se në këtë takim janë diskutuar mundësitë që duhet t’u ofrohen të rinjve, në mënyrë që të mos i lëshojnë të dyja vendet.
Basha po ashtu ka thënë se është shumë e rëndësishme të koordinohen përpjekjet dhe të ndërmirren nisma të përbashkëta, për sa i përket përballjes në aspektin shëndetësor të COVID-19, por edhe për situatën ekonomike, përcjell FaktePlus.
Njoftimi i plotë:
Gjatë qëndrimit në Kosovë, ndava disa orë të këndshme me Kryetarin e VV Albin Kurti, ku diskutuam për të gjitha zhvillimet e rëndësishme ekonomike, politike dhe rajonale.
U ndalëm gjerësisht në bisedën tonë tek situata ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e COVID-19. Është shumë e rëndësishme që të koordinojmë përpjekjet dhe të ndërmarrim nisma të përbashkëta, për sa i përket përballjes në aspektin shëndetësor të COVID-19, por edhe për situatën ekonomike, e cila ka sjellë probleme të shumta. Me fokus të veçantë nënvizuam rëndësinë e hapave që duhen ndërmarrë për të ndalur largimin e dhimbshëm të të rinjve, e për t’u krijuar atyre mundësi të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri e Kosovë.
Ndamë të njëjtin mendim, se nevojitet një intensifikim i bashkëpunimit mes dy vendeve, projekte dhe nisma konkrete, dhe jo ide që mbeten në letër.
E sigurova zotin Kurti, se unë dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, sot në opozitë dhe nesër në drejtim të vendit, do të jemi në krah të Kosovës, dhe maksimalisht të angazhuar për t’i ofruar çdo ndihmë, dhe për të marrë çdo vendim në mbështetje të saj.
Theksova rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, domosdoshmërinë e moscënimit të integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe arritjen e një marrëveshjeje që do të çojë në njohjen respektive, mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë