Barriera në rrugë e institucione, rrëfimi për njerëzit me aftësi të kufizuara
Asnjëherë, Leonora nuk mund të dalë e vetme nga shtëpia. Ajo lëviz me karrocë dhe gjithmonë në shoqëri të një personi tjetër. Jetën e Leonorës, si dhe shumë personave tjerë me aftësi të kufizuar po ua vështirëson edhe më shumë mungesa e infrastrukturës.
Madje edhe në pak objekte publike ku është menduar të bëhet qasje për këtë kategori, zyrtarët e shtetit ia huqen në projektim, ose thënë ndryshe i kanë bërë sa për “sy e faqe”.
Këto shkallë janë vetëm disa nga to që po bëhen barrierë për Leonora Gashin dhe persona tjerë me karrocë. Gashi tregon për FaktePlus se edhe ato qasje që janë bërë janë të papërshtatshme.
“Kemi nevojë të vijmë për letërnjoftim, për pensione e nuk po mundemi me ardh vet sepse nuk kemi qasje. Vështirë e kemi të shkojmë edhe nëpër shitore, kudo që shkojmë ne kemi nevojë për ndihmës, sepse nuk kemi qasje. Janë bërë disa qasje, por nuk janë të përshtatshme. Janë nëpër fakultete, nëpër shkolla, nëpër objekte mjekësore, por janë të pa përshtatshme”, tregon Gashi për FaktePlus.
Huqje në qasje për persona në karrocë shihet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Veç kësaj, nuk u mendua si duhet as atëherë kur është projektuar qasja për lëvizje të lirë edhe tek ish- banka e Lubjanës, por më mirë nuk qëndrojnë as shkollat, as fakultetet e as spitalet.
As veturat zyrtare nuk ua lirojnë rrugën personave me aftësi të kufizuara.
Sikur të mjaftonte me kaq. Leonora, tregon edhe telashet me të cilat përballet nëpër trotuaret e Prishtinës.
“Ka ndodhë më kanë ndihmu këmbësorët ose duhet me marrë dikë prej familjes se vetëm nuk mundem. Trotuare ka të mirë, ka edhe të këqij. Ka që na përshtatet dhe që nuk na përshtatet, varet edhe prej veturave se po i lënë në trotuar dhe po duhet ne me zbrit me karroca në asfalt për me kalu. Po e rrezikon jetën e juaj që jeni vet, e lëre më neve që jemi me karrocë. Sa herë që dalim ne duhet me pas një përcjellës me vete se edhe po vozitin vetura pa këqyr hiç e nuk ma merr mendja me dalë”, tregon Gashi.
Kurse Afrim Maliqi, drejtues i organizatës joqeveritare “Hendikos” tha për FaktePlus që personat me aftësi të kufizuar në Kosovë janë të diskriminuar.
“Nëse flasim për lirinë e lëvizjes për personat me aftësi të kufizuar në Kosovë, kjo mund të them se nuk ekziston dhe kjo lëvizje e lirë iu mohohet duke filluar nga çerdhet, shkollat fillore, të mesme e mos të flas për universitetet. Po flas te çështja e objekteve arsimore për arsyeje se kjo është ndër çështjet më të rëndësishme. Personat me aftësi të kufizuar, lirisht mund të them se në vendin tonë janë të diskriminuar”, tha ai.
Maliqi thekson se jo gjithmonë personat me karrocë duhet të kenë një shoqërues e me vete, dhe se ata duhet të jenë të pavarur për të shkuar në vendin ku ata duan të jenë.
“Nuk mund ta ketë gjithmonë personin shoqëruesin dhe ideja është që personi të shkoj vet e të jetë i pavarur deri në vendin ku ai dëshiron, ku ai don të jetë, pa marr parasysh a është shkollë, a është institucioni a do me dalë me pi një kafe dhe jo gjithmonë të jetë i varur prej një apo dy personave tjerë”, thotë Maliqi për FaktePlus.
Sipas një hulumtimi të bërë nga Handikos del se veç Prishtinës as komuna tjera nuk qëndrojnë më mirë në zbatimin e ligjit dhe udhëzimeve administrative për t’iu krijuar qasje në çdo objekt publik, personave me aftësi të kufizuara.
E statistikat tregojnë se afërsisht 10 për qind e popullatës së përgjithshme në Kosovë, llogaritet të jetë me nevoja të veçanta. Gjithë këta njerëz sikurse Leonora çdo ditë përballen me rreziqe e vështirësi nga më të ndryshmet./FaktePlus