Barcelona shënjestron tre emra për mbrojtës të majtë
Këtë të shtunë ka mjaft informacione, sipas të gjitha shijeve, në shtypin sportiv të Barcelonës. Lajmi që spikat më së shumti i përket “Mundo Deportivo”.
Shkruhet përsëri mbi nevojën që ka skuadra blaugrana për të nënshkruar me një mbrojtës të majtë verën e ardhshme, për të “dubluar” Jordi Alba, i cili nuk është kursyer në asnjë garë të sezonit aktual.
Pasi ka humbur besimin te Juan Miranda, i cili është “zhdukur” që nga performanca e tij e dobët në ndeshjen e Kupës së Mbretit kundër Levantes, dhe misterit me Cucurella, që tani po spikat me Eibar, në listën e klubit kampion të La Liga-s shfaqen disa emra për ta përforcuar atë pozicion.
I preferuari, sipas “Mundo Deportivo”, është Ferland Mendy, 23 vjeç, nga Olympique Lyon. Në fokus të departamentit teknik të Barcelonës është edhe Junior, lojtar i Betis, i cili luajti një ndeshje të madhe në “Camp Nou”, si dhe Filipe Luis, që del jashtë kontratës me Atletico Madrid në fund të sezonit.