Barcelona e gjen në Francë pasuesin e Luis Suarez, gati oferta
Barcelona ka identifikuar sulmuesin e Lille, Nicolas Pepe, si një objektiv parësor të merkatos së verës, sipas “France Football”.
Skautët e klubit katalanas e kanë vëzhguar lojtarin nga Bregu i Fildishtë në ndeshjet e Ligue 1, së fundi kundër Montpellier, javën e kaluar, dhe janë bindur nga aftësitë e tij.
Tashmë bindja është krijuar dhe synohet t’i bëhet ofertë lojtarit dhe klubit që ka kartonin e tij në merkaton e kësaj vere. Pepe ka shënuar 16 gola në 25 ndeshje për Lille, këtë sezon, ndërkohë që ka kontribuar edhe me 8 asiste për të tijtë.
Futbollisti në fjalë shihet si një zëvendësues i mirë për Luis Suarez, me uruguajanin që e ka pranuar vetë se duhet t’i gjendet pasuesi në “Camp Nou”.
Trajneri i Lille, Christophe Galtier, ka deklaruar se sulmuesi i tij do të bashkohet vetëm me një klub, që luan në Ligën e Kampionëve. Forma mbresëlënëse e Pepe ka rënë në sytë e shumë klube europiane, përfshirë Arsenalin, Bayern Munich dhe Manchester United.
Megjithatë, katalanasit po veprojnë shpejt, që të mbyllin gjithçka para të tjerëve, sikurse bënë me De Jong. /FaktePlus