Baraliu jep dy data se kur mund të mbahen zgjedhjet
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, ka folur për datën se kur vendi mund të shkojë në zgjedhje, pas ftesës që presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ua ka bërë për nesër partive politike për të folur mbi këtë temë.
Baraliu tha se koha më e hershme që vendi të shkojë në zgjedhje është 60 ditë para përfundimit të mandatit, ndërsa më së voni 30 ditë para kalimit të mandatit.
“Ajo datë duhet të caktohet, por Ligji për Zgjedhje thotë se ajo datë duhet të jetë ditë e diel dhe të jetë mandati 4-vjeçar i përmbushur. Data, mendoj se do të duhej të ishte diku në mars. Moti është më i mirë, dita është më e gjatë dhe po ashtu hapësira për t’u përgatitur është më i madh”.
“Mbi këtë, 16 dhe 23 marsi janë ditë të diela. Këto ditë duhet të jenë, njëra prej këtyre kur merren vesh subjektet politike se cila është më e përshtatshme për to”, tha Baraliu në “Edicionin Special” në Klan Kosova.
Tutje, Baraliu tha se nga ajo që është parë deri më tani, të gjitha subjektet politike në kuvend, në një mënyrë a tjetër, përkundër deklarimeve s’kanë pasur vullnet të madh për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, teksa shtoi se nëse partitë merren vesh, vendi edhe mund të shkojë në zgjedhje më herët sesa koha e përcaktuar në bazë të ligjit.
“Në këtë vend, jo gjithë herë e jo sa duhet respektohen ligjet. Problemin kryesor s’e kemi vetëm me kundërshtitë e ligjeve, por e kemi problemin në zbatimin e ligjeve. Mosrespektimi edhe mund të ndodhë, nëse subjektet politike dakordohen, nëse imponojnë një zgjidhje të tillë atëherë mund të ndodhë edhe të ketë zgjedhje më herët”, tha ai.