Baraliu: Haradinaj ka të drejtë t’i drejtohet Kushtetueses, nuk duhet të krijohet vakum institucional
Dilemave dhe kundërshtimeve se a duhet apo jo Qeveria e Kosovës të kryej detyrat e saj të përditshme pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, i kanë dhënë përgjigje ekspertë të çështjeve juridike. Ata vlerësojnë se kabineti qeveritar, nuk duhet të marrë vendime të mëdha, por duhet të vazhdojë të kryej punët teknike-administrative, për të mos u krijuar kështu vakum institucional.
Një javë pas dorëheqjes nga pozita e kryeministrit, Ramush Haradinaj ka ftuar për sot mbledhjen e Qeverisë. E në një paraqitje për media, Haradinaj tha se nuk do të lejojë vakum qeverisës në Kosovë, dhe se do të vazhdojë të kryejë detyrat e tij qeverisëse.
Ndaj kësaj kanë reaguar partitë opozitare, duke thënë se tashmë Haradinaj nuk ka të drejtë të thërras mbledhje të qeverisë, meqë ka dhënë dorëheqje.
E pas këtyre dilemave të cilat u ngritën edhe gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar, Haradinaj tha se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kompetencat dhe përgjegjësitë që ka qeveria pas dorëheqjes së tij.
Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu vlerëson se kabineti qeveritar tani nuk duhet të marrë vendime të mëdha, por duhet të vazhdojë të kryej punët teknike-administrative,për të mos u krijuar kështu vakum institucional.
“Nuk mund të krijohet anarki për shkak se ky kabinet qeveritar vazhdon t’i kryejnë punët teknike-administrative edhe pse ka rënë Qeveria, rrjedhimisht kanë rënë kompetencat dhe përgjegjësitë e edhe autorizimet e tyre. Segmenti i vendimmarrjes është çështje që do të duhet të mos ndodhte. Por aspekti i veprimeve tekniko-operativ, kryerja e detyrave të përditshme ajo nuk kontestohet. Sepse vakum institucional edhe juridikisht e logjikisht në këtë periudhë nuk do të duhet të kishte. Ose të mandatohet një mandatar i ri nga koalicioni qeverisë dhe të zgjidhet qeveria e re, ose të shkohet në seancë parlamentare dhe të bëhet shpërndarja e parlamentit dhe të shkohet në zgjedhje brenda 45 ditësh”, tha Baraliu për FaktePlus.
Profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu po ashtu i ka dhënë të drejtë Haradinajt për tiu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, pas ngritjes së dilemave.
“Është shumë e qartë Kushtetuta dhe unë mendoj që nuk ka nevojë për ndonjë qartësim shtesë. Dhe ai ka drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, por Kushtetuesja çka të thotë ajo është mandej definitive dhe detyrimisht e zbatueshme…Prandaj është mirë që të qartësohet se a ka drejtë apo nuk. Gjykata Kushtetuese do ta jap mendimin dhe vendimin e saj”, sqaron Baraliu.
Megjithëkëtë, profesor Baraliu thotë se duhet pasur parasysh se parashtresat e drejtuar në Gjykatën Kushtetuese mund të marrin kohë për t’u trajtuar.
E pas gjendjes së krijuar nga dorëheqja e kryeministsrit, njohësi tjetër i çështjeve juridike, Blerim Burjani, po thotë se vendi është në një lloj anarkie.
“Vendi është në anarki e që nuk i konvenon askujt. Ne nuk mundemi me mohu që jemi një shtet që s’ka rend dhe ligj. Neve realisht na mban vetëm segmenti i sigurisë që e ka KFOR-i për secilën situatë”, tha Burjani për FaktePlus.
Ramush Haradinaj e thirri mbledhjen e rregullt të kabinetit qeveritar, por pas debatit lidhur me çështjen e kompetencave të kësaj qeverie, tha se është i detyruar të kërkojë mendimin dhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, për të marrë një sqarim lidhur me përgjegjësitë dhe funksionet që ka një qeveri në një rast të tillë.
Haradinaj tha se Qeverisë së tij në dorëheqje, i duhet një qartësim, pasi që vendi nuk mund të mbetet pa qeverisje deri në momentin kur të formohet një qeveri e re.
Kujtojmë se Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të premten e kaluar, më 19 korrik, pasi që ishte ftuar nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Veçanta në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.FaktePlus /FaktePlus