Banorët e Malishevës të bllokuar, Qeveria e Kosovës ndalon hyrjet dhe daljet
Qeveria e Kosovës, në një mbledhje të jashtëzakonshme të mbajtur sonte, ka marrë vendim për masa shtesë pas konfirmimit të rasteve pozitive me koronavirus – COVID-19 në vazhdimësi të vendimit të Qeverisë Nr.01/09, të datës 13 mars 2020.
Siç njofton Zyra e kryeministrit, masat shtesë që janë ndërmarrë në këtë mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë së Kosovës janë si në vijim:
1.Ndalohen hyrje-daljet e qytetarëve në Komunën e Malishevës.
2.Obligohet Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet tjera relevante të kryejnë të gjitha procedurat për zbatimin e këtij vendimi.
Ndërkohë, pasi një grua 37-vjeare u konfirmua se është infektuar me koronavirus dhe pasi që kryeministri, Albin Kurti, vendosi që Malisheva të hyjë në karantinë, Komuna e Malishevës po kërkon nga qytetarët e saj të mos bëjnë panik pasi që sipas tyre të gjitha masat e nevojshme po zbatohen.
“Janë bashkërenduar të gjitha aktivitetet lidhur me rastin, ku janë duke identifikuar të gjithë personat që kanë pasur kontakte me pacientin, të cilët edhe janë duke u vetizoluar, si dhe në të gjitha hyrje-daljet e Komunës së Malishevës, bazuar në mesazhin e marrë nga kryeministri i vendit, janë duke u vendosur patrullat policore”.