Banorët e Karaçevës kanë një lutje për kryeministrin Kurti
Edhe 20 vjet pas luftës, Kosova po vazhdon të ketë problem me territor. Në fshatin Karaçevë të Kamenicës shpesh shihen edhe xhandarmëria serbe.
KFOR-i ka vendosur tabelat për shënimin e kufirit të përkohshëm të Kosovës, në këtë fshat, por karaçevasit po e kundërshtojnë duke thënë se po u humbin tokat e tyre.
Banorët e Karaçevës thonë se të shqetësimet e ngritura nga ta për vite kanë hasur në vesh të shurdhër nga të gjitha ish-qeveritë, andaj shpresojnë që qeveria e re do t’iu dalë në ndihmë.
Selver Lenjani kryetar i këtij fshati thotë se edhe kryeministrin e ri, Albin Kurti e kanë njoftuar për gjendjen dhe problemet me të cilat përballen, dhe nëse nuk lëvizet diç banorët do të vazhdojnë të largohen.
“Qeveria e re është e njoftuar zyrtarisht për të gjitha problemet që ballafaqohen banorët e brezit kufitar. Presim që kryeministrit Kurti do të merret me çështjen e brezit kufitar të Karaçevës, pra që të mos lejoi copëtimin e saj, në të kundërtën do të zbarzet fshati nga banorët”, thotë Lenjani për Reporteri.net.
Ai kërkon që kryeministri Kurti ta vizitojë Karaçevën dhe të njihet nga afër prej banorëve me problemin e tyre.
“Të vije në vend të ngjarjes që ta sheh me sy të gjithë dokumentacionin që e kemi i cili dokumenton që toka është e jona. Ne shqiptaret nuk kemi pretendime t’i marrim tokat e huaja, por veç tokat tona. Sipas marrëveshjes ushtarake të 9 qershorit të Kumanovës 170 pronarë i humbin tokat e tyre, edhe pse ngastrat kadastrale tregojnë se tatimi për këto toka është paguar në Kamenicë e jo në Vranje. Krejt banorët i kemi edhe hartat që tregojnë se territori është i joni. Por me ato dokumentacione është e pamundur ta bindim faktorin ndërkombëtarë. Andaj Kuvendi i Kosovës duhet të nxjerr një rezolutë për mbrojtjen e territorit të Kosovës, në këtë rast konkretisht të tokave të banorëve të Karaçevës”, thotë Lenjani.
Lenjani trego se kthesa e fshatit Novosellë e deri në hyrje të fshatit Karaçevë është zonë e ndaluar edhe për Policinë e Kosovës si dhe rruga Bajpas (anësore).
Ai thotë se xhandarmëria serbe vazhdon të hy pa problem në fshatin e tyre, por thotë se po qëndrojnë në shtëpitë e tyre falë qëndrimit atje të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.
“Po mos të ishte KFOR-i dhe Policia e Kosovës do të ishte e pamundur 24 orë të jetohet në Karaçevë”, ka thënë ai.